Ish-sulmuesi i famshëm i Polonisë dhe Juventusit, Zibi Boniek, ka dhënë mendimin e tij për ndeshjen me Shqipërinë në “Air Albania“, ku thuajse vendoset gjithçka për vendin e dytë në Grupin I. Ai ka theksuar mes të tjerash se shqiptarët janë shumë patriotë dhe do japin gjithçka në fushë. Sipas ish-kreut të Federatës Polake të Futbollit, të tilla ndeshje nuk kanë nevojë për trajner.

“Në Shqipëri nuk do të jetë e lehtë, – është shprehur Boniek, – ata kanë një lidhje të fortë me ngjyrat kombëtare. Fitorja u jep atyre “Play-off”-in, ndërsa ne na mbyll rrugën. Do të jetë e vështirë, edhe pse jemi ekip më i mirë. Duhet të jemi të fokusuar, sepse nuk mund të gabojmë. E kam thënë edhe më parë se ndeshje të tilla luhen pa trajner.
Lojtarët duhet të marrin përgjegjësinë, sot lavdia e fitoreve bie mbi ta, kurse humbjet janë për faj të trajnerëve. Jam i bindur se do të fitojmë. Shqipëria luajti më mirë në Varshavë? Nuk pajtohem me këtë gjë, ishim ne më mirë, shënuam 4 gola. Uroj ta përsërisim suksesin. Ka një tendencë për kritika. Fituam me San Marinon dhe dëgjoj të thuhet se luajtëm dobët. Luajtëm shumë mirë, askush nuk u lëndua dhe fituam 5-0. Jemi një komb që pëlqen të qahemi, nuk shijojmë asgjë“.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




