Ngjarje

Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri/ Kush dhe ku mund ta mbjellë. Prodhimi dhe shitja pa licencë do të vazhdojnë të jenë vepra penale

Del në konsultim drafti i Ministrisë së Brendshme: Nga ngritja e agjencisë te kriteret e kultivimit

Nga Gazeta 'SI' - Ministria e Brendshme ka hedhur në konsultim publik draftin e parë për legalizimin e kanabisit në vend, me qëllime mjekësore dhe industriale.

Për monitorimin e këtij procesi do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit. Agjencia drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm struktura dhe organika e saj miratohen me urdhër të Kryeministrit. Pranë Agjencisë ngrihet Komisioni i Licencave  për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura për marrjen e licencës sipas përcaktimeve të këtij ligji. Anëtarët e Komisionit zgjidhen për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Për ata që mund të ushtrojnë këtë aktivitet do të shpërndahen licenca 15-vjeçare, që vendos disa kritere, nga kapitali 100 mln lekë tek hapësira e kultivuar deri në 10 hektarë dhe jo më pak se 5 hektarë. Sipërfaqja totale në vend nuk mund t'i kalojë 150 hektarët. Territoret ku do të bëhet kultivimi do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Licencat u jepen vetëm aplikantëve që kanë eksperiencë në kultivimin dhe prodhimin e kanabisit në një nga vendet e OECD-së.

Shkarkoni draftin e plotë:

Drafti i detyron aplikantët të bëjnë vetëdeklarim për punësimin për të paktën pesëmbëdhjetë persona, dy prej të cilëve të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë me përvojë pune jo më pak se tre vjet në fushën përkatëse.

Kultivuesi i bimës së kanabisit, jo më vonë se 15 ditë para ditës së fillimit të vjeljes së bimës së kanabisit, është i detyruar të njoftojë Agjencinë. Agjencia njofton ministritë përgjegjëse sipas qëllimit të kultivimit të bimës së kanabisit. Më pas bëhet matja e peshës dhe numërimi i fidanëve, në përputhje me ato fillestare të shënuara në licencë.

Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e dispozitave të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe do të dënohen me një gjobë deri në masën 5.000.000 (pesë milionë) lekë. Kjo do të thotë, pra, që prodhimi dhe tregtimi jashtë sistemit (nëse nuk je i licencuar sipas këtij ligji), do të vazhdojë të konsiderohet vepër penale.

Projektligji parashikohet të qëndrojë për konsultim deri më datë 20 tetor 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë