Ideja e legalizimit të banesave informale, të ndërtimeve që ishin ngritur vrullshëm që dukeshin se ishin të pandalshme u hodh në vitin 2006. Qeveria e kryeministrit Berisha paraqiti në Kuvend projektligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i cili hyri në fuqi më 3 prill të vitit 2006.
Atë kohë opozita socialiste akuzoi se po legalizoheshin “Bathoret”, si dhe po u hapej rrugë ndërtimeve të tjera informale, çka përbënte një kërcënim për një zhvillim urban të qëndrueshëm. Prej 12 vitesh ky ligj po qëndron në fuqi për një proces që po zgjat pafund në këtë tranzicion politik, e që më tepër po përdoret si kartë për betejat elektorale të partive politike. Qeveria “Berisha” zotohej se e do ta mbyllte brenda vitit këtë proces, por gjithçka rezultoi se ishte një premtim i pambajtur.

Që nga 2006 deri më tani ligji është ndryshuar shtatë herë. Ndërsa më 22 gusht të vitit 2017, pas marrjes së mandatit të dytë qeverisës, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame do të shpallte nismën e re, të tetën, për ndryshimin sërish të ligjit, me zotimin se brenda këtij mandati katërvjeçar do të mbyllet procesi i legalizimit. Ndërsa ligji me kalimin e viteve nisi të zgjerojë gamën e kritereve të legalizimeve, pasi u futën në proces edhe shtesat e pallateve pa leje, që lulëzonin sa herë në Shqipëri zhvilloheshin zgjedhjet, apo dhe dhënia e tapive të vilave të ndërtuara në zonat bregdetare që kishin si përparësi ndërtimin e fshatrave turistike, por që sot janë pushtuar nga banesat e pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm.
Shifrat e legalizimeve
Për socialistët ligji i legalizimeve përbënte një kërcënim në përballjen e betejave elektorale. Kryesocialisti Edi Rama ndërmori një fushatë në vitet 2011 dhe 2013 duke sulmuar drejtuesit e ALUIZNIT, Shaban Memia apo Ardian Kollozi, duke i vendosur epitete Shaban Tapia apo Kolloz Tapia. Por në bazë të shifrave zyrtare që Gazeta “Si” disponon, procesi i legalizimeve në kohën e qeverisjes Berisha eci shumë ngadalë, ku rritjen më të madhe të tyre të dhënies së certifikatave të pronësisë e pati në prag të fushatave elektorale. Një praktikë kjo e ndjekur edhe nga qeverisja aktuale socialiste. Nga 2006-2009 janë dhënë 2023 legalizimeve. Ndërsa në vitin 2010 janë dhënë 1819 tapi, gjatë vitit 2011 që përkon me zgjedhjet lokale janë dhënë 3625 certifikata; në 2012 u dyfishua dhënia e certifikatave në 6507.

Viti 2013 do të shënonte rritje të ndërtimeve pa leje, si dhe i shtimit të premtimeve elektorale. “Këta të PD-së erdhën me këtë pikën 14 të programit. Nga 250 mijë ndërtime pa leje që gjetën, po e lënë Shqipërinë me 400 mijë ndërtime pa leje. Po e lënë me një numër qesharak legalizimesh përkundër numrit të ndërtimeve që kërkojnë legalizim. E gjetën kuadrin ligjor me një ligj që ishte operativ edhe pse kishte nevojë për shumë elementë të tjerë dhe sot po e lënë në një kaos ligjor që bën jo vetëm të pamundur procesin kështu siç është, por i vë në rrezik edhe ato legalizime që bëhen. Po i vë në rrezik dhe ta dëgjojnë mirë ata që tani do t’i kenë këta te dera me kërkesën: “Hajde ta legalizojmë shpejt e shpejt”. Por, fatkeqësia është që nuk mbaron historia këtu, sepse kush e ka marrë atë lejen e legalizimit e di mirë që mbasi merr atë leje të pret një tjetër shkallë e ferrit që quhet ZRRPP. ZRRPP-ja është godina e tmerrit për të gjithë ata që me letrën e legalizimit në dorë duhet të shkojnë dhe të hipotekojnë godinën. Se leje nga ato të Shabanit, Shaban-Tapi këta kanë dhënë 18 mijë. Problemi është që nga Shaban Tapia te hipoteka e shtëpisë është një rrugë e tërë që ngec tek ZRRPP-ja”, do të deklaronte Edi Rama në një takim në mars të vitit 2013. Gjatë këtij viti u dhanë 7776 leje legalizimi. Ndërsa nga ky vit do të shënonte rritjen e dhënieve të legalizimeve, pasi socialistët u zotuan duke përshpejtuar procesin madje duke dhënë dhe legalizime falas, me zero lekë.

“Si pasojë e miratimit të kuadrit të plotë ligjor u bë i mundur përshpejtimi i ritmeve të procesit të legalizimit duke mundësuar legalizimin e 15.294 ndërtimeve në vitin 2014, për vitin 2015 të 21.748 ndërtimeve informale dhe vetëm gjatë 9 muajve të 2016 janë lëshuar 29.529 leje legalizimi. Shifra prej 66.571 lejesh në gati tre vjet, është rreth 3.1 herë më i madh se sa ajo e tetë viteve të qeverisjes së mëparshme”, thuhet në një raport të ALUIZNI-t. Ndërsa me një vendim qeverie do të vendoste që procesi i paraqitjes së dokumenteve të mos kishte kosto për qytetarët. “As edhe një qindarkë. Zero! Gjithë procesi do të bëhet nga ALUIZNI. Pra, ndryshe nga më parë që ju shkonit tek Shabani, por Shabani nuk vinte tek ju (kur them Shabani, nuk e kam fjalën për një person, flas për “shabanizmin” në përgjithësi). Tani procesi është ndryshe. ALUIZNI vjen në shtëpi dhe ndihmon për plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe me këtë dokumentacion merr certifikatën e pronësisë. Pra, gjithë ajo pjesë që deri dje ishte një tmerr “shko merr topograf, paguaj, shko tek noteri e paguaj. Merr letra këtej e ço andej. Prit radhën për t’i depozituar, paguaj lekë që t’i depozitosh se ndryshe nuk t’i merrnin fare letrat, etj, etj. Pra, të gjitha këto nuk janë më. Do t’i bëjë ALUIZNI të gjitha”, do të deklaronte kryeministri Rama në 2014.
Shkrirja e ALUIZNI-t dhe krijimi i Kadastrës
Procesi i legalizimit të ndërtesave informale po zgjat më shumë se tre mandateve qeverisëse, madje ai do të shkojë edhe më tej. Edhe pse qeveria mburret se procesi ka ecur me ritme të shpejta, ai duket se nuk po ndonjë fund. Vetëm në vitin 2018, sipas ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj “Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ALUIZNI-t për vitin 2018 kishte parashikuar që të miratohen 25,000 leje legalizimi për 25.000 familje shqiptare ndërkohë që vetëm për periudhën Janar-Tetor 2018 u arrit që të legalizohen 25.131 objekte ose 18% më shumë se pritshmëria”.
Për t’i dhënë fund këtij procesit të legalizimit, qeveria Rama ka menduar që të ndryshojë ligjin duke e shtyrë edhe më tej këtë proces. Në Kuvend ndodhet projektligji për krijimin e “Kadastrës” që shkrin ALUIZNI-n me Hipotekën, duke bërë që ky institucion i ri të jetë në varësi të Kryeministrit Edi Rama dhe duke ia hequr si kompetencë Ministrisë së Drejtësisë.
“Synohet që kjo agjenci të funksionojë si një institucion me vetëfinancim. Por të paktën për tre vitet e para propozohet financimi pjesërisht nga buxheti i shtetit. Agjencia do të jetë nën varësinë e Kryeministrit. Kjo varësi hierarkike propozohet në kuadër të angazhimit në rritje të Këshillit të Ministrave për të zgjidhur problematikat e lidhura me pasuritë e paluajtshme, si dhe në mënyrë të veçantë me nismën e vetë Kryeministrit për të mbikëqyrur drejtpërdrejt proceset që lidhen me këtë çështje. Gjykojmë se rinormimi i procesit të regjistrimit të pasurive, ku përfshihet edhe riorganizimi institucional i strukturave shtetërore, është veçanërisht i rëndësishëm nëse do të marrim parasysh prioritetin e zgjidhjes së “çështjes së pronës”, si kusht për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në BE”, thuhet në relacionin e projektligjit për “Kadastrën”.
Ndërsa paralelisht me nismën për Kadastrën, është depozituar në Kuvend edhe p/ligji tjetër i qeverisë ai “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Në relacionin e këtij projektligji zvarritja e procesit të legalizimeve i faturohet si dështim faktit që ka dy institucione të ndara që merren me këtë çështje ALUIZNI dhe Hipoteka.

“Konkretisht, fragmentimi i punës në një tërësi institucionesh (ZRPP-ja, ALUIZNI, AITPP-ja etj.) nuk ka prodhuar rezultatet që priteshin (po të niseshim nga specializimi/diferencimi i secilës strukturë), jo vetëm në drejtim të produktivitetit (asnjëri prej proceseve nuk mund të konsiderohet i përfunduar apo drejt përfundimit), por, mbi të gjitha, të cilësisë së punës së realizuar. Ndër të tjera, puna e institucioneve aktuale është karakterizuar nga bashkëpunimi i dobët, ose herë pas here edhe inekzistent. Kjo ka bërë të pamundur çdo tentativë për rregullimin në thelb të çështjeve të pronësisë, sepse strukturat e lartpërmendura, në vend që t’i trajtonin detyrat e tyre si pjesë të një mekanizmi të vetëm (i cili nuk do të funksionojë asnjëherë siç duhet pa kohezion), janë izoluar në kompetencat respektive. Ajo që e bën akoma më të prekshëm dështimin e deritanishëm është fakti se shteti shqiptar shpesh e ka të vështirë të paraqesë edhe statistika/raporte të sakta mbi ecurinë dhe punën e kryer deri më sot në secilin proces. Për disa aspekte të këtyre veprimtarive përdoren të dhëna të përafërta apo të hamendësuara. Në përmbledhje të sa më sipër, mund të themi se nuk do të arrihet asnjëherë rezultat në trajtimin e pronës së paluajtshme, nëse do të vijohet me kryerjen e secilit proces në mënyrë të ndarë nga njëri-tjetri. Veprimtaria e këtyre proceseve duhet koordinuar dhe zbatuar në mënyrë të njëkohshme/sistematike në territor”, thuhet në relacionin e draftit.

Ndërsa jepen edhe me shifrat, pasi në tabelën bashkëngjitur jep të dhënat se që prej nisjes së këtij procesi nga 227 mijë ndërtesa pa leje janë legalizuar gjithsej 150 mijë objekte dhe se kanë mbetur 77 mijë objekte.
Ndërkaq qeveria po has probleme në regjistrimin e pronës shtetërore, ku procesi ka ngecur dhe janë për t’u regjistruar 233.000 tituj.

Ndërsa një problem jo i vogël është dhënia e titujve të pronësisë për tokat bujqësore, të njohura ndryshe si AMTP. Sipas shifrave zyrtare janë regjistruar rreth 250.000 AMTP, nga numri i përgjithshëm prej rreth 450.000 AMTP të lëshuara, pra kanë mbetur rreth 200 mijë të tilla.
Të gjitha këto procese do të ndikojnë që të zgjasin ndër vite, pasi vetë shkrirja e ALUIZNI-t me Hipotekën do të kushtojë një afat kohor 6 mujor ose 1 vit, derisa të dalin aktet nënligjore nga qeveria për funksionimin e këtij institucioni të ri që do të jetë në varësi të Kryeministrit.
Ndërsa vetë qeveria paralajmëron se i gjithë ky proces që parashikon konsolidimin e marrëdhënieve të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme dhe arritja e sigurisë juridike në këto marrëdhënie, në një afat 10-vjeçar, aq mendohet se do të jetë koha e nevojshme për të përfunduar procedurat e parashikuara në projektligj. I gjithë ky proces i ndryshuar ndër vite po tregon se çështja e pronësisë do të zgjasë edhe 10 viteve e madje do të duhen edhe dy mandate qeverisëse, pas llogaritur se cila parti mund ta ketë pushtetin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.