Politike

Lefter Koka jep dorëheqjen nga mandati i deputetit: Koha e duhur për të mbyllur një cikël

Lefter Koka nuk iu bind vendimit të LSI-së për të dalë nga Kuvendi këtu e dy vjet më parë.

Ai mbajti mandatin e deputetit dhe zgjedhjet e 25 Prillit, Koka garoi sërish, kësaj here, nën siglën e PS-së.

Por ditën që Presidenti i Republikës Ilir Meta njoftoi seancën e parë të Kuvendit, Lefter Koka dha dorëheqjen nga mandati i deputetit.

Ashtu siç po ndodh rëndon, vendimin ai e ka bërë publik përmes një postimi në Facebook.

Koka nuk jep shumë shpjegime mbi arsyet. Por nënvizon se sot është koha për tu lënë stafetën të tjerëve.  

“2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.

Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.

Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.

Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!

Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë”, shkruan  Koka.

Sipas tij, Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë