Gjykata e Apelit të Posaçëm do të vendosë më 2 janar për kërkesën e Lefter Kokës për lehtësim e masës së sigurisë arrest me burg.
Ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme vendosi masën e sigurisë arrest me burg më 14 dhjetor, pas arrestimit për tenderat e incineratorëve.
Vendimi i kësaj gjykate u apelua nga avokatët e ish-ministrit me arsyetimin se ai nuk përbën rrezik për shoqërinë dhe as rrezik për t’u arratisur.
Koka akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Ai ka mbajtur postin e e ministrit të Mjedisit nga viti 2013 deri në 2017 dhe ka hedhur firmën e tij për ndërtimin e incineratorëve të Elbasanit dhe të Fierit.
Sipas dosjes së SPAK, Koka dyshohet se ka përfituar të paktën 3.7 milionë euro për t’i dhënë pa garë tenderin e incineratorit të Elbasanit kompanisë Albtech Energy të Stela Gugalljas, që së bashku me Klodian Zoton është e shpallur në kërkim në lidhje me këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




