Futboll

Leao dhe Zhiru ‘ndezin’ Milanin në Europë, mbrëmje fantastike ndaj PSG-së

Gazeta Si - Milani gjen golat e parë në Champions për këtë sezon, gjen edhe fitoren e parë në grup. Skuadra e Piolit ka mundur 2-1 PSG-në, duke ndezur shpresat e kualifikimit, por llogaritë mbeten të komplikuara për kuqezinjtë, aktualisht në vend të 3-të me 5 pikë. Borusia Dortmund kryeson grupin me 7 pikë, e ndjekur nga PSG me 6 pikë.

Shkriniar kaloi francezët në avantazh që në fillim të ndeshjes. Mbrojtësi shënoi me kokë, pas një krosi nga këndi. Por Milani reagoi shpejt dhe barazoi me Rafael Leaon. Portugezi mposhti Donarumën me një roveshiatë nga afër portës dhe bëri shenjën e heshtjes drejtuar tifozëve.

Në fillim të pjesës së dytë veterani Oliver Zhiru realizoi me kokë golin e fitores për Milanin, pas krosit të Teo Hernandez nga e majta. Mbape me shokë nuk arritën të barazonin dhe dolën të humbur nga ‘San Siro’. Kualifikimi mbetet i hapur për dy ndeshjet e tjera në grup.

Lacio e Elseid Hysajt ka mundur 1-0 Fejnordin dhe ka marrë vendin e dytë në grup, duke parakaluar pikërisht holandezët. Mbrojtësi kuqezi e nisi ndeshjen titullar dhe qëndroi 78 minuta në fushë. Golin e fitores për Lacion e shënoi Imobile.

Nga rezultatet e mbrëmjes së sotme bie në sy humbja e Barcelonës ndaj Shakhtarit, por pa pasoja për katalanasit. Po ashtu, mund të evidentohet fitorja 6-0 e Atletiko Madrid ndaj Selltikut.

Champions, ndeshjet e 4-ta në grup
B.Dortmund-Njukasëll 2-0
Shakhtar-Barcelona 1-0
Milan-PSG 2-1
Atletiko Madrid-Selltik 6-0
Crvena Zvezda-Lajpcig 1-2
Porto-Antverp 2-0
Lacio-Fejnord 1-0
Mançester Siti-Jang Bojs 3-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë