Kosova

LDK refuzon Kurtin për koalicion: Lëshuat shumë sharje ndaj nesh

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka mbyllur derën kryeministrit Albin Kurti për të zhvilluar negociata në lidhje me mundësinë që VV dhe LDK të krijojnë një koalicion së bashku për krijimin e qeverisë së re në vend pas zgjedhjeve parlamentare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu Lumir Abdixhiku shprehet se ai do të mbajë fjalën ndaj elektoralit që e votoi për të mos bërë qeveri me Kurtin, dhe nuk la pa i përmendur fyerjet ndaj LDK gjatë fushatës elektorale.

Kujtojmë se një ditë më parë, kryeministri Kurti i dërgoi një letër LDK për të zhvilluar një takim konsultativ.

“Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra, para, gjatë dhe pas fushatës, LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës, respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë”, shkruan Abdixhiku, duke shtuar se duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, “dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh”.

Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati, shprehet Abdixhiku, sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë, madje edhe konsultativ “do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë