Kosova

LDK: Kandidatura e Kurtit për kryeministër, e paligjshme

Lidhja Demokratike Kosovës ka vënë në dyshim dekretimin e kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.

Deputeti i LDK, Arben Gashi është shprehur se partia opozitare nuk do votojë qeverinë Kurti.

“Sepse kemi një person që është dekreduar që të jetë kryeministër i vendit, ndërkohë kemi një qeveri dhe një kuvend që ka ra, pse një deputetë ka qenë i dënuar për vepër penale. Pra, personi që është dekretuar është person më precedent penal, i dënuar dhe dënimi i tij nuk ka skaduar”, tha Gashi.

Albin Kurtit iu ndaluan që të garojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, për shkak të një dënimi më 2018. Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhje të gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Qeverinë Kurti nuk do ta votojë as Lista Serbe, e cila thotë se nuk e mbështet votimin e qeverisë së Albin Kurtit, nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i Listës Serbe, Igor Simic tha se Kurti “në mundësinë e parë për veprim ka shkelur Kushtetutën”.

Sipas tij, Listës Serbe i takojnë dy ministri, meqenëse ka 11 deputetë. Simic tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë