Nga Gazeta ‘Si’-“Perëndimi flet për Kosovën sikur të ishte fener i demokracisë, por ajo është territor i paligjshmërisë së plotë”, e komentoi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov përpjekjen për të anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Europës.
Ai akuzon autoritetet atje për spastrim etnik, dhe çrrënjosje të ortodoksisë.
“Të gjithë e dinë se Kosova është territor i paligjshmërisë së plotë. Por kolegët tanë perëndimorë nuk skuqen, ata flasin për të sikur të ishte pothuajse një fener demokracie. Nuk ka pasur kurrë demokraci atje, është territor i krimit të organizuar, territor i spastrimit etnik në raport me serbët, në atë territor po çrrënjoset ortodoksia”, u shpreh Lavrov.
Siç tha ai, Perëndimi kërkon të shkaktojë dëme të pariparueshme ndaj Ortodoksisë dhe dëshiron që bota ortodokse të jetë nën udhëheqjen e Patriarkut të Stambollit, i cili është nën komandën e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.
Lavrov foli gjithashtu për rezolutën e Srebrenicës që synohet të dalë për votim në OKB, duke e quajtur një përpjekje për të thyer serbët. Sipas kryediplomatit rus, arsyeja përse europianët po ndërmarrin një fushatë të tillë kundër serbëve, pasi këtë të fundit janë të pavarur dhe nuk i binden kërkesave të tyre.
“Është e pamundur të shpjegohet se nga çfarë udhëhiqen evropianët kur shtyjnë përpara këtë ide, përveç një arsyeje: serbët janë tepër të pabindur. Serbët janë tepër të pavarur në sjelljen e tyre, nuk i binden kërkesave për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, nuk duan që Kosova të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare”.
Lavrov shtoi më tej se perëndimi po i kërkon Serbisë të injorojë plotësisht historinë e miqësisë me Rusinë, betejat e përbashkëta për pavarësi, liri e Ortodoksi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




