Lautaro Martinez do t’i qëndrojë besnik Interit dhe as që bëhet fjalë për largim të afërt të tij nga “Giuseppe Meazza”.
26-vjeçari ka kontratë me Interin deri në verën e vitit 2026, por ajo do të vazhdohet deri më 2028 ku për Lautaron do të ketë edhe rritje të pagës.
Në muajt e ardhshëm, pritet që të ketë një zgjatje të kontratës, që lidh Lautaro Martinez me skuadrën e Interit. Vjeshta do të jetë momenti i duhur për të zgjatur martesën mes sulmuesit dhe klubit zikaltër, që synon që të rrisë ndjeshëm pagën e kapitenit të ri, që është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Palët po punojnë që paga e lojtarit të jetë 7.5 milionë euro plus bonuse në marrëveshjen e re.
Ndërkaq sulmuesi argjentinas tani është bërë kapiteni i parë i zikaltërve. Largimi i Samir Handanovicit dhe Marcelo Brozovicit këtë verë e la Interin pa kapiten dhe sulmuesi argjentinas ka qenë zgjedhja më e duhur për të marrë shiritin në krah, pasi e kishte veshur atë në disa raste sezonin e kaluar.
Lautaro është rritur në një figurë lideri për Interin që nga ardhja e tij në vitin 2018. Thuhet se kohët e fundit ai refuzoi një ofertë fitimprurëse nga Arabia Saudite, si shenjë besnikërie ndaj klubit milanez. / Il Giornale
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.