Gazeta Si – Ashtu si në Superkupën e Italisë, derbi shkon sërish për Interin, por ketë herë me rezultatin e ngushtë, 1-0. Zikaltrit ishin superiorë dhe e zgjidhën ndeshjen me një gol të Lautaro Martinez, lojtarit më në formë që ka përmbushur pritshmëritë.

Milani dha vetëm disa sinjale në pjesën e dytë, por pa mundur ta shmangte humbjen, e treta radhazi në kampionat, që rrezikon edhe më shumë Championsin. Kuqezinjtë mbeten në kuotën e 38 pikëve, ndërsa Interi ngjitet në kuotën e 43 pikë, 13 pikë pas Napolit të pakapshëm, që fitoi edhe sot në fushën e Specias, 0-3.
Inzagi luajti me formacionin që kishte paralajmëruar, kurse Pioli befasoi duke ndryshuar skemën e lojës. Ai kaloi në 3-5-2, ashtu si Interi, kurse aktivizimi i Origit nga minuta e pare dhe Leao në stol ishte surpriza më e madhe.
Pjesa e parë ishte e dominuar totalisht nga Interi, që e rrezikoi disa herë portën e Tatarushanut. Xheko kërkoi një penallti në fillim, por gjyqtari Masa nuk e konsideroi të tillë. Goli do të vinte nga një goditje këndi. Kros në zonë dhe Lautaro Martinez shënon me kokë, i ndihmuar edhe nga një devijim i lehtë i Kjaer.
Në pjesën e dytë Pioli hodhi në fushë ‘kartat’ Brahim Diaz dhe Leao, me këtë të fundit që çuditërisht e nisi nga stoli. Kuqezinjtë sikur u zgjuan pak dhe rrezikuan me Brahim Diaz dhe Zhiru.
Në anën tjetër, trajneri Inzagi freskoi skuadrën me ndërrimet e zakonshme. Minuta edhe për Romelu Lukakun, që realizoi një gol por më parë kishte shkaktuar faull në sulm. Një gol iu anulua në fund edhe Lautaro Martinezit, pasi VAR-i konstatoi një pozicion jashtë loje.
Kristjan Asllani, mesfushori i Interit dhe Kombëtares shqiptare, e preku tapetin e blertë të ‘San Siros’ vetëm në minutën e 4-t shtesë, kur zuri vendin e Barelës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




