Politike

Largimi nga qeveria, Berisha-Spiropalit: Nuk e ke nga unë por nga Balluku

Nga Gazeta ‘Si’-Deputeti Belind Këlliçi, i cili u kthye pas 3 muajve në Kuvend, pati ca fjalë për deputeten Elisa Spiropali duke përmendur largimin e saj nga detyra e ministres së Jashtme, si ndër të paktat anglishtfolëse në grupin e PS.

Me ironi, Spiropali tha se asnjë gjuhë s’e flet më mirë sesa shqipen, ndërsa sa për largimin, i tha në Kuvend se është e keqardhur vetëm që largimi i saj nga detyra u paralajmërua nga Sali Berisha.

Kjo shkaktoi edhe replika të forta mes saj dhe Berishës.

Kreu i Partisë Demokratike, iu përgjigj menjëherë duke mohuar çdo përgjegjësi për vendimin dhe duke e kthyer akuzën në drejtim të brendshëm të mazhorancës.

Ai deklaroi se vendimi për largimin e Spiropalit nuk ishte produkt i një riorganizimi formal, por sipas tij pasojë e influencës së Ballukut.

“Në një kohë kur sytë e shqiptarëve drejtoheshin drejt asaj sikur të ishte korba e zezë, në fakt aty afër ishte, ti na vije si nuse këtu, e veshur me të bardha, me të gjitha aksesorët. Ti je viktimë e Ballukut.

Ndaj dhe nuk e ke nga Sali Berisha, jo, e ke nga vetja jote, se jo që nuk e mbroje, përkundrazi gëzoheshe se tani do bëheshe ti zëvendëskryeministre por nuk ta priste mendja se ishte kjo tjetra kloni (referuar Koçiut). E ke nga vetja jote se more përpjetë ti”, i tha Berisha duke këmbëngulur se shkarkimi i saj lidhej me përplasjet dhe raportet e brendshme në qeveri.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Berisha artikulon publikisht këtë tezë.

Edhe më herët, në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se Belinda Balluku kishte kërkuar “largimin e menjëhershëm” të Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme, duke shtuar se “kjo po ndodh dhe do të ndodhë”, një deklaratë që u konsiderua si paralajmërim politik.

Ndërkohë Spiropali iu përgjigj duke i thënë se të gjithë çfarëdo që marrin, e kanë nga vetja.

“Ta bëjmë analizën, të shohim, ku jemi e ku ishim e të shohim edhe për të ardhmen. Ti nuk lëviz dot më një gur, jo të lëvizesh me njerëz nga qeveria, vetja është ajo që na sjell ku jemi, vetëm për veten mbajmë përgjegjësi”, i tha ajo.

Largimi i saj u miratua nga Kuvendi në kuadër të ndryshimeve në kabinetin qeveritar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë