Nevil Dede është larguar nga skuadra e Tiranës pak minuta para ndeshjes me Laçin. Ai ka pasur një takim të shkurtër me presidentin Refik Halili dhe të dy kanë debatuar në lidhje me aktivizimin e Kukës në formacion. Pas këtij debati, Dede ka lënë stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa Kuka është hequr nga formacioni që klubi i Tiranës kishte shkruar në protokoll.
Në vend të tij është futur Danso, kurse në stolin bardheblu është ulur drejtori Tefik Osmani. Dede e ka marrë drejtimin e Tiranës pas javës së 2-të të kampionatit, duke zëvendësuar Emanuel Egbo. Shkarkimi i Emanuel Egbosë dhe ajo që ndodhi dje me Deden, e kthejnë Tiranën dy vite pas, kur ndryshoi tre trajnerë gjatë një sezoni. Drejtuesit e Tiranës po shohin për alternativën më të mirë për zëvendësuesin e tij.
Alban Bushi, Skënder Gega dhe Bledar Devolli. Janë këto tri emrat më të lakuar për stolin e Tiranës vetëm pak orë pas largimit të Nevil Dedes. Megjithatë, nuk duhet përjashtuar ndonjë surprizë e minutave të fundit. Të tre trajnerët janë emra që për një kohë të gjatë janë lakuar në ambientin e kryeqytetasve.
Halili, i ngacmuar për Bushin si kandidaturë, u shpreh se nuk do të marrë trajner që kanë bërë opinionistin në TV. Bledar Devolli, i cili aktualisht drejton Drenicën në Kosovë, vjet ishte në krye të Tiranës U-19 dhe kur e pa që nuk po e merrnin në konsideratë për të drejtuar ekipin e parë u largua. Devolli ishte opsion edhe për Kukësin, pas largimit të Skënder Gegës. Emërimi i trajnerit të ri të Tiranës është punë orësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.