Nga Gazeta ‘Si’-Para dyerve të SPAK është zhvilluar një tubim në shenjë mbështetjeje ndaj Prokurorisë së Posaçme, tre ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Dhjetëra qytetarë së bashku me drejtuesit e partive të reja opozitare, “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” mbajnë në duar pankarta ku shkruhet “Faleminderit SPAK”.
Për mediat foli kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani, i cili tha se “aleanca e qelbësirave”, ku sipas tij bëjnë pjesë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, u plotësua ma arrestimin e Veliajt dhe së bashku kërkojnë të godasin SPAK-un.
“Duan ta mbajnë këtë vend në tranzicion, që ka 34 vite që ky popull vidhet, përqeshet dhe merret zvarrë dhe këtyre nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Ne duam që kjo të marrë fund dhe aleanca e qelbësirave do që kjo gjë të vazhdojë. Ne jemi padyshim bashkë kundër tyre dhe padyshim jemi bashkë me Shqipëria Bëhet, me çdo të ri, me çdo qytetar të ndershëm që do që pandëshkueshmëria në këtë vend të marrë fund”, u shpreh Shabani.
I pyetur nga gazetarët përse nuk zhvilluan tubime në mbështetje të SPAK pas protestave kundër këtij institucioni nga mbështetësit e Berishës dhe Partia e Lirisë, Shabani tha: “Sepse sot u plotësua aleanca e qelbësirave”.
“Aty ishte Berisha me Metën, tani u shtua dhe Rama. Dhe kanë dalë hapur. Ka dy fronte. Sepse deri tani Rama e sulmonte nën rrogoz, përdorte komisionet hetimore për të sulmuar SPAK-un. Tani është e qartë”, sqaroi Shabani më tej.
Kreu i “Nisma Thurje” kërkoi po ashtu arrestimin e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tij ka uzurpzuar Bashkinë e Tiranës dhe në 48 orët e fundit ka intimiduar dëshmitarë në çështjen “Veliaj” dhe i ka bërë presion institucioneve të drejtësisë.
Ndërkohë Adriatik Lapaj nga “Lëvizja Shqipëria bëhet”, tha se ka një aleancë të egër kundër ligjit. Ai bëri thirrje për ndërtimin e një shteti ku njerëzit të përballen me ligjin dhe të mos kenë frikë prej tij.
“Unë si njeri i rritur në bankat e ligjit në shkollën e drejtësisë së Shqipërisë, besoj nuk duhet të ketë protesta pro e kundër drejtësisë, duhet kenë në punë e vet, por çështja është që këtu ka një aleancë të egër kundër ligjit. Për këtë arsye në mënyrë simbolike jemi këtu për t’i dhënë kurajo çdo njeriu të ligjit që shoqëria nuk i lë vetëm. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ligji.
Duhet të përballet, procesi nxjerr të vërtetën. Duhet të ndërtojmë një shtet ku njerëzit përballen me ligjin, ku njerëzit as nuk linçohen dhe as nuk linçojnë institucionet. Ky duhet të jetë standardi. Në çdo rast njerëzit duhet të përballen me institucionin. Duhet të ndërtojmë institucione”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




