Futboll

Lamtumirë Xhanluka Viali! Ndahet nga jeta ikona e futbollit italian

Gazeta Si – Të tjerë lot, tjetër zi në botën e futbollit. Ndahet nga jeta në moshën 58-vjeçare ish-sulmuesi i njohur italian, Xhanluka Viali, i mposhtur nga një tumor në pankreas.

Xhanluka Viali. Gazeta Si, 6 janar 2023

Pak ditë pas ikjes së Pelé dhe Mihajloviç, shuhet një tjetër ikonë e futbollit botëror. Është shuar Xhanluka Viali, ish-lojtar i Kremonezes, Sampdorias, Juventusit dhe Çelsit. Ai u detyrua të linte stafin teknik të Italisë, pasi gjendja shëndetësore iu rëndua kohët e fundit.

Viali nuk mundi ta fitonte betejën kundër tumorit në pankreas, nga i cili vuante që prej vitit 2017. Pas një periudhe të qetë me kura të ndryshme, sëmundja u rikthye agresive dhe e pamëshirshme. Viali ka qenë një nga futbollistët më ikonikë dhe fitues të panoramës italiane.

Gjatë 19 viteve të karrierës si futbollist, ish-sulmuesi ka luajtur mes Serisë A, Premier Ligës dhe kupave europiane 673 ndeshje dhe ka shënuar 259 gola. Me fanellën e Italisë ka fituar një medalje bronzi në 1990-ën, një argjendi dhe bronzi në Europianët U-21 të 1984-ës dhe 1986-ës. Me Italianë ka luajtur 59 ndeshje dhe ka shënuar 16 gola. Është tërhequr në korrik të 1999-ës.

Viali ngre lart trofeun e Ligës së Kampionëve të fituar me Juventusin. Gazeta Si, 6 janar 2023

Si trajner ka drejtuar Çelsin në periudhën 1998-2000 (6 muaj ishte lojtar-trajner) dhe Uatfordin gjatë sezonit 2001-02. Në 2015-ën është futur në ‘Hall of Fame’ të futbollit italian. Nga nëntori i 2019-ës ishte pjesë e Federatës Italiane të Futbollit, si shef i delegacionit axurr, në krah të mikut dhe ish-partnerit të sulmit në kohët e Sampdorias, Roberto Mançini.

Palmaresi i Vialit është mjaft i pasur. Ka ftuar 2 tituj kampion në Serinë A me Sampdorian dhe Juventusin, 1 Ligë Kampionësh me Juventusin në 1996-ën, 1 Superkupë UEFA me Çelsin në 1998-ën, 1 Kupë UEFA me Juventusin në 1993-shin, 2 Kupa Kupash (Sampdoria 1989-90 dhe Çelsi 1997-98), 1 Kupë Anglie (Çelsi 1996-97), 4 Kupa Italie (Juventus dhe 3 me Sampdorian).

Si trajner, në krye të Çelsit, ka fituar një Kupë të Anglisë dhe një ‘Charity Shield’. Xhanluka Viali lë pas bashkëshorten Kathrin dhe dy vajzat Olivia dhe Sofia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë