Nga Gazeta Si- Pas dy ditësh homazhe, iu dha sot lamtumira e fundit Kryepeshkopit Anastas.
Ceremonia mortore filloi në orën 11:00, me Liturgjinë Hyjnore që u drejtua nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu. Ndërkohë, pas liturgjisë, mbajti fjalim mbesa e Kryepeshkopit Anastas, znj. Roksani Janullatos si edhe dy kryeministrat, Edi Rama dhe kryeministri i Greqisë Mitsotakis si edhe kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, Bishop Heinrich Bedford-Strohm.


Liderët e Kishave Ortodokse në botë, por jo vetëm, ishin pjesë e ceremoninë mortore, bashkë me ta edhe krerët më të lartë të shtetit dhe politikës në Shqipëri, mes tyre edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.

Në përfundim të ceremonisë mortore të Kryepeshkopit Anastas arkëmorti me trupin e kryepeshkopit të ndjerë u nxor nga salla qendrore dhe u dërgua në kriptën e nëndheshme, ku do të prehet përjetësisht.
Besimtarë të shumtë, qytetarë të Tiranës e jo vetëm, qëndruan deri në fund të ceremonisë në oborrin e katedrales ku ishte vendosur dhe një ekran i madh që mundësonte ndjekjen e ceremonisë si dhe fjalimeve të mbajtura me këtë rast.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, vdiq më 25 janar, në një spital të Athinës. Kryepeshkopi Anastas ishte 95 vjeç dhe prej disa kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas burimeve të Kishës Ortodokse, vdekja erdhi si pasojë e mosfunksionimit të disa organeve. Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse shpalli pesë ditë zie, nga data 25, deri më 29 janar 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.