Kreu i Kadastrës, Artan Lame, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se ka filluar zbatimi i ligjit për certifikimin e tokës bujqësore, pasi shumë familje fshatare përdorin tokën pa aktin e pronësisë AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi).
Kreu i Kadastrës shtoi se në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre.
Lame tha se pas përmbylljes së procesit të legalizimeve, sfida e radhës në fshat është sfida e certifikimit të tokës bujqësore.
“Kjo sfidë përbëhet:
– nga përfundimi i procesit të pajisjes me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) të atyre familjeve dhe kategorive për të cilat ende nuk është bërë;
– dhe nga ajo që është më kryesorja, regjistrimi dhe certifikimi i gjithë pronës në fshat.
Ndër të tjera, ligji 20/2020 shfuqizonte edhe ligjin e famshëm të vitit 2008, “Për verifikimin e titujve të pronësisë””, tha ndër të tjera Lame.
Ndërkohë, Lame tha se në dhjetor 2020, u miratuan në Qeveri edhe dy nga aktet nënligjore më të rëndësishme të ligjit 20/2020, VKM 1147 dhe 1182 të dhjetorit 2020, që plotësojnë procedurat e plotësimit të AMTP-ve, të regjistrimit të tyre, dhe të saktësimin të kufijve dhe sipërfaqeve të tyre.
Përmes këtyre Vendimeve, thjeshtohen shumica e procedurave torturuese që parashikonte kaosi ligjor e nënligjor që ekzistonte deri përpara miratimit të Ligjit 20/2020.
Disa nga risitë e të dy akteve (VKM 1147 DHE 1182):
- Për AMTP e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titullmbajtësit. Pra pronarët do ta disponojnë lirisht pronën.
- Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre.
- Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë.
– Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm 4:
– a) truall;
– b) vepër e infrastrukturës publike;
– c) rërë bregdetare, plazh;
– d) sipërfaqe ujore.
– Pra është hapur rruga për regjistrimet e llojeve deri dje të përjashtuara si kullota, toka për frymë, etj.
– Shqyrtimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kryhet vetëm nga Kadastra.
Krijohet mundësia e blerjes së sipërfaqes që posedohet mbi atë çfarë përcaktohet në titullin e pronësisë apo dokumentin e përdorimit.
Krijohet mundësia e regjistrimit apo edhe përfitimit të aktit të pronësisë për tokën që disponohet në fakt, pavarësisht se ku mund ta jetë përcaktuar vendndodhja sipas AMTP/dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kur s’ka konflikte.
Në kategorinë e përfituesve, kur janë përdorues faktikë të tokës bujqësore, janë shtuar personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre
Pika 3 e lehtësirave të krijuara më sipër, bën fjalë për të gjitha ato familje ku, sasia e tokës të cilën disponojnë, nuk përputhet me atë që do të duhet të kishin marrë në zbatim të ligjit 7501/1991.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.