Ekonomi

Lame: Më shumë dëme me pronat në 25 vite se në diktaturë

"Në Shëngjin edhe porti me pronar" do të thoshte Kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës Artan Lame duke bërë publik bilancin e 6 muajve të këtij institucioni, i cili shkriu në një institucion të vetëm Hipotekat dhe ALUIZNI-n.

Thelbi i asaj çfarë renditi Lame ishte tragjedia që ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, që sipas tij e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm.

Lame referoi se në 6 muaj janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore dhe janë marrë 120 masa, përfshirë edhe largimet nga detyra.
Gjithashtu janë trajtuar në këto 6 muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucione të ndryshme.

“Prej disa muajsh, pas përmbylljes së riorganizimit institucional të saj, Kadastra Shqiptare po merret me sfidën më të vështirë që ka përpara vetes: Shthurjen e rrjetës çerekshekullore të kaosit të pronave, abuzimit me pronat dhe plaçkitjes së pronës. Duhet të jemi të qartë me veten dhe me shqiptarët: Ajo çka ka ndodhur me pronën në këtë çerekshekulli në Shqipëri, e tejkalon atë që ndodhi gjatë gjysmëshekullit të mëparshëm”- tha kreu i Kadastrës duke shtuar se “Diktatura shpronësoi shqiptarët, por prona mbeti po aty, në dorën e shtetit dhe me rrëzimin e sistemit socialist, do të duhej të fillonte procesi i kundërt, ai i kthimit të pronës tek i zoti, ai i ndarjes së drejtë të tokës tek fshatari, ai i privatizimit nga pozita të barabarta e kështu me radhë. Për fat të keq, nuk ndodhi kështu gjithmonë.”

Ai theksoi se vijohet të evidentohen raste abuzimi me pronën, qoftë atë publike e qoftë atë private. Ky evidentim, tha Lame, nuk bëhet thjesht se s’kemi me ç’merremi apo se duam të çojmë njerëz përpara drejtësisë.

Ky evidentim sipas tij, bëhet sepse abuzimi me pronën është shkelje e rendit kushtetues, është bllokimi i jetës ekonomike të vendit.

Të gjitha masat, vijoi Lame, janë shoqëruar edhe me vendosje gjobash ndaj punonjësve.
Sipas tij, janë trajtuar në këto muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucionet të ndryshme, ku pjesa dërmuese ka sfond grabitjen e të drejtës së pronës.
“Do të mjaftonin këto shifra për të dëshmuar se sa i thellë është problemi, se sa e thellë ka qenë reforma dhe se sa e madhe është pritshmëria e publikut ndaj këtij institucioni të ri”, deklaroi ai.

Për Lamen harta e abuzimeve me pronat përfshin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por është e kuptueshme që këto abuzime dendësohen në zonat me interes ekonomik, pra pikërisht në zonat ku vendi dhe ekonomia duhet të tregohen më të hapura ndaj investimeve, zhvillimeve dhe iniciativiës së lirë.

“Por, pikërisht në këto zona, problematikat e trashëguara të pronave bllokojnë shumicën e investimeve. Do të përmendja këtu zonat bregdetare përgjatë gjithë Jonit dhe Adriatikut, apo zona të tjera me fluks ekonomik si ato përreth qyteteve të mëdha dhe veçanërisht Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Kronikat e medieve në gjithë këto vite kanë trajtuar herë pas here problematika të tilla, por përgjatë këtij viti ky fluks është shtuar” – tha Lame duke shtuar se “Do të veçoja dy arsye për këtë çështje, e para tani Shqipëria kjo është, bregdeti i saj u nda dhe u stërnda dhe konfliktet kanë filluar të ngrenë krye ngado; dhe e dyta, gjatë këtij viti ndjeshmëria dhe reagimi i qeverisë dhe i Agjencisë së re të Kadastrës, duke vënë dorën në plagë është rritur dukshëm. Përpara disa kohësh, unë paralajmërova se problematika si ato të Vlorës do të bëhen publike edhe në zona të tjera. Do të ndeshen në Sarandë, ku i gjithë bregdeti i qytetit, i gjithë amfiteatri i kodrave të Sarandës është ndarë dhe rindarë e mbindarë në më tepër se dy-tri herë, përfshi dhe zona që praktikisht janë në det. I ndeshim në zonën e Butrintit dhe përreth tij, në situatat tragji-komike të Butrintit antik, i cili sot del me pronar.”

Do ndeshen përgjatë Rivierës së Jonit, vijoi Lame, ku së shpejti ne do të fillojmë regjistrimin fillestar dhe nga ku sondazhet na rezultojnë mbivendosje deri në katër pronarë të ndryshëm për të njëjtën tokë.

Më tej, si deri më sot, tha ai, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha organet dhe agjencitë ligjzbatuese, për të bërë të mundur që në fund të këtij procesi të kemi një regjistër prone të saktë dhe një institucion të besueshëm ndaj qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë