Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari vazhdon ta shikojë si të tepruar ashpërsinë penale në Shqipëri, duke i cilësuar nivelet e paraburgimit si më të lartat në Europë.
Në konferencën me temë “E drejta për liri dhe siguri personale-nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, Lamallari u shpreh se gjysma e të personave që ndodhen në paraburgim, nuk kanë vendim të formës së prerë.
Sips tij, kjo situatë përbën një problem serioz të të drejtave të njeriut dhe të prezumimit të pafajësisë. Lamallari përmendi se rreth 58% e personave janë ende të paraburgosur, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në Shqipëri arrin në 253 ditë, shumë më e lartë se mesatarja evropiane.
“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.
Sipas ministrit, vendi duhet të ndahet nga politika e ashpër e trashëguar nga sistemi i shkuar dhe pështatet me legjislacionin që përkon me standardet e Bashkimit Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



