Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kritikuar sistemin e Drejtësisë në vend, lidhur me numrin e lartë të personave të paraburgosur duke kërkuar alternativa të tjera në mënyrë që legjislacioni i vendit të përafrohet me atë të BE.
Gjatë konferencës së mbajtur këtë të hënë për sfidat dhe synimet e pushtetit gjyqësor, Lamallari e vendosi theksin edhe tek numri i lartë i çështjeve të mbetura stok, duke nënvizuar se në 10 çështje, vetëm një mund të përfundohet brenda vitit.
“Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Mbi gjysma e personave që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit, janë ende pa një vendim të formës së prerë, – tha Lamallari. – Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore që zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi gërryen besimin e qytetarëve te drejtësia”.
Duke iu referuar shifrave, Lamallari theksoi se “62% të të dënuarve në Shqipëri u caktohet një masë, nga 5 deri në 20 vite burgim. Ndërsa në BE ka një marzh burimi nga 1 deri në 10 vite burgim. Duhet të afrojmë politikën penale me Bashkimin Europian”,- shtoi ministri.
Duke u ndalur te stoku i lartë i dosjeve dhe vonesave të zgjatura në gjykata, Lamallari i cilësoi ato si “mohim të drejtësisë përmes vonesës”, duke theksuar se qytetarët po humbasin besimin.
Si një nga zgjidhjet kryesore që ai ofron për lehtësimin e stokut, ministri kërkoi përdorimin më aktiv të ndërmjetësimit, duke u bërë thirrje gjyqtarëve që të orientojnë palët drejt pajtimit dhe zgjidhjeve jashtëgjyqësore, kur kjo është e mundur.
“Kuadri ligjor ekziston, mekanizmat ekzistojnë. Ministria e Drejtësisë po merr masat e nevojshme për ta bërë ndërmjetësimin një instrument real dhe funksional”, deklaroi ai.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj sistemit, ministri u shpreh: “Shikoni veten në pasqyrë”, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri dhe reflektim nga aktorët e drejtësisë.
Lamallari paralajmëroi se mungesa e reflektimit dhe veprimit real nga institucionet e përgjegjshme për disiplinën rrezikon të kthejë pavarësinë e drejtësisë në një koncept formal, të shkëputur nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.
Ndëra në mesazhin e tij, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se duhet që gjykatat të tregojnë paanësi dhe që drejtësia të jetë e arritshme për qytetarët.
Sadushi kërkoi nga gjyqtarët që të angazhohen që vendimet për çështjet gjyqësore të mos i zvarrisin, pasi “një drejtësi që vonon, rrezikon të kthehet në padrejtësi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



