Shumica e aksioneve të Los Angeles Lakers do të transferohet në transaksionin më të madh në historinë e sportit amerikan që vlerësohet në 10 miliardë $ ose 7.45 miliardë £. Familja Buss e zotëronte skuadrën prej vitit 1979 dhe tashmë është dakordësuar me Drejtorin e Përgjithshëm të “TWG Global”, Mark Walter. Kjo nuk është skuadra e parë që ai zotëron, pasi aktualisht ka paketën kontrolluese edhe të Los Angeles Dodgers, që u shpall kampione në “World Series” të bejzbollit, një vit më parë. Në vitin 2021, Mark Walter bleu fillimisht 20% të aksioneve të Lakers.

Ndërkohë ka invenstime në sportin global përfshi “Chelsea Football Club” në Premier League dhe “Cadillac Formula 1 Team” që do të debutojë në vitin 2026. Ky transferim pronësie vjen pas atij në muajin Mars kur Boston Celtics u ble nga Bill Chisholm për 6.1 miliardë $ që theu rekordin e vendosur në vitin 2023 nga Washington Commanders në futbollin amerikan për 6.05 miliardë $. Shitja e Los Angeles Lakers e thyen rekordin e mëparshëm me pothuajse 4 miliardë $.

Jerry Buss e bleu skuadrën për 67.5 milion $ në vitin 1979, shifër që përfshinte skuadrën e hokejit, Los Angeles Kings dhe “Los Angeles Arena” që tani njihet si “Kia Forum”. Që nga ajo kohë Lakers fituan më shumë tituj në NBA se çdo skuadër tjetër. Nën drejtimin e familjes Buss, Lakers arritën 17 herë në Finale dhe e fituan titullin në 11 raste. Me LeBron James në përbërje, ata u eleminuan në playoff në 3 sezonet e fundit. Jeanie Buss (vajza e Jerry-t) do të vazhdojë të mbajë të njëjtën detyrë edhe nën drejtimin e pronarit të ri Mark Walter. Legjenda e Lakers, Magic Johnson, që më herët ka pasur një minorancë aksionesh në skuadër, foli në mbështetje të pronarit të ri për të cilin tha se ai do ta kthejë Los Angeles Lakers në majë, ashtu siç bëri me “Dodgers” në “World Series” të bejzbollit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.