Para

Lajmi i keq për bllokimin e fondeve të BE për bujqësinë/ Në 3 vite Shqipëria mori 112 mln euro nga IPARD… dhe rasti i ngjashëm me Bullgarinë

Nga Gazeta ‘SI’ - Bllokimi i fondeve europiane për bujqësinë shqiptare është një lajm i keq. Ndërkohë që fermerët shqiptarë prisnin disbursimin e qindra miliona eurove, BE njoftoi se tashmë ato janë të pezulluara, të paktën ato të programit të agrokulturës, IPARD III.

Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë, që Bashkimi Europian ua dedikon vendeve në proces aderimi si ndihmë për të zhvilluar më tej sektorin bujqësor. IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Europian më 20 korrik 2015.

Programet IPA kanë për qëllim t'u ofrojnë vendeve ndihmë financiare dhe teknike për të përmirësuar standardet dhe qëndrueshmërinë e sektorëve agro-ushqimore.

Vendet që aktualisht përfitojnë nga mbështetja IPARD III janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Shqipëria u bë pjesë në thirrjen e dytë të këtij programi IPARD II, në vitin 2018 dhe disbursimi nisi në vitin 2021.  Deri më tani, përfshirë pjesërisht fonde nga IPARD III që nisi këtë vit, Shqipëria ka marrë 112 mln euro në total.

Në Shqipëri, këto fonde dhe aplikime menaxhohen nga Agjencia për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, e cila po njësoj, menaxhon edhe skemat kombëtare të financimit të fermerëve. Për Shqipërinë, IPARD do të mbulonte fillimisht, investime në bujqësi dhe të mbjella, më pas në blegtori, agroturizëm dhe akuakulturë.

Në një raport të vitit 2022, BE i kërkonte Shqipërisë të vazhdonte punën për përmirësimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale që të mund të aksesojë programet e ardhshme IPARD. Gjithsesi aty vlerësohej përmbushja e rekomandimeve europiane dhe nuk kishte rezerva për administrimin e fondeve. Gjithsesi një operacion i OLAF, Zyrës kundër mashtrimit në BE, në godinën e ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së në vitin 2021, tregoi se një hetim kishte nisur. Vendimi i sotëm lidhet pikërisht me këtë hetim.

Në vitin 2008, në një veprim të paprecedentë, Bashkimi Europian vendosi të pezullojë 500 mln euro fonde për Bullgarinë, pas luftës së dështuar me korrupsionin. Bullgaria, prej pak kohësh atëherë e pranuar në BE, bëhej kështu shteti i parë anëtar që përballej me sanksione të tilla. Fondet e pezulluara lidheshin me një program asistence teknike për vendet që i bashkohen BE-së dhe një skemë ndërtimi rrugësh.

Asokohe Komisioni Evropian ndërpreu zyrtarisht financimin në kuadër të programeve të para-anëtarësimit të BE-së PHARE, SAPARD dhe ISPA. Sipas tre programeve, Sofja zyrtare pritej ndoshta të humbiste më shumë se 500 milionë euro financime.
Edhe në atë kohë, u njoftua që pezullimi i fondeve do të ishte i përkohshëm derisa të konsiderohej se Bullgaria menaxhonte me korrektësi fondet e BE-së. Ndërkohë në Sofje, partitë opozitare bullgare paraqisnin mocionin e gjashtë të mosbesimit kundër qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga socialistët.

Gjithsesi pas pak kohësh, BE u tërhoq nga vendimi dhe Bullgaria fitoi përsëri të drejtën e aplikimit dhe thithjes së fondeve nga Europa. 

Nuk dihet nëse kjo mund të ndodhë edhe për Shqipërinë, por sipas Delegacionit të BE në Tiranë, masat mund të përkeqësohen, në varësi të përfundimit të hetimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë