Kosova

Lajçak viziton sot Prishtinën, do të takohet me Bislimin

Nga Gazeta 'Si' - I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet martën në Kosovë me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimin.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, nuk është përmendur arsyeja e vizitës. Nuk është konfirmuar as nëse Lajçaku do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Lajçak viziton Kosovën një ditë pas një takimi në Athinë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç.

Pas takimit me zyrtarin serb, Lajçak ka thënë në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se me Vuçeviçin ka biseduar për situatën e dialogut me Kosovën dhe për marrëdhëniet BE-Serbi.

Lajçak do të nisë mandatin e ri si ambasador në Zvicër prej 1 shtatorit të këtij viti, dhe nuk është bërë ende i ditur emri i zyrtarit evropian që do të jetë në pozitën e ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbi. Përgjatë mandatit të Lajçakut, dy vendet kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe për një aneks zbatimi, por pak është bërë në praktikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë