Kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka konfirmuar se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëtojë më 14 dhjetor në rajonin e Ballkanit për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Sipas tij, BE-ja ka gatishmëri që të dërgojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Borrell ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Sipas njoftimit, të gjithë ata janë pajtuar se duhet “të merren hapa për uljen e tensioneve”.
Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.
Serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiç, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.
Ndaj tij u caktua një muaj paraburgim më 12 dhjetor.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




