Nga Gazeta Si – Emisari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak ka mbyllur takimet në ditën e parë të qëndrimit të tij në Prishtinë.
Pas konsultave të veçanta mes presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, Lajçak është shprehur optimist se Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë të finalizojnë ankesin e marrëveshjes së planit të BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman në takimine 18 marsit në Ohër të Maqedonisë.
“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Për momentin është e pamundur të thuhet më shumë”, theksoi ai për gazetarët në Prishtinë.
Sipas Lajçakut, BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti “hap i dytë” që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, që tha se kur të përfundohet, do të kalohet në hapin e radhës, që është formalizimi.
Ndërsa një apel bëri edhe për partitë politike që të jenë pro implementimit të marrëvëshjes së BE-së. “Siç e dini, takimi i 27 shkurtit ka qenë një sukses. Të dy liderët, si Kurti edhe Vuçiç janë pajtuar se nuk ka nevojë që marrëveshja të diskutohet. Ajo është publikuar tashmë, mirëpo nëse duam që ajo të bëhet ligjërisht e detyrueshme, partitë duhet të pajtohen edhe në planin e implementimit”, tha ai.
Ndërkohë që edhe zyra e Kryeministrit Kurti, bën të ditur se presin që marrëveshja të finalizohet në Ohër.
“Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian. Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, thuhet në njoftim të Qeverisë të enjten në mbrëmje.
Të premten Lajçak do të zhvillojë takim me partitë politike, ndërsa të hënë dhe të martën do të udhëtojë drejt Beogradit për t’u takuar me Vuçiç, Brnabiç dhe partitë e tjera politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




