Kosova

Lajçak takon Kurtin: Diskutuam rrugën drejt normalizimit, të qartësohen hapat e mëtejshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak mëngjesin e sotshëm(11 maj) në zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Emisari evropian, pas vizitës në Prishtinë, pritet të shkojë nesër edhe në Beograd.

Lajçak tha pas vizitës me Kurtin se në takim kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm të dialogut.

“Erdha të diskutoj me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara drejt normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që ne kemi kuptuar qartë sekuencën e hapave dhe ne kishim një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Të njëjtin diskutim do ta kem nesër edhe në Beograd”, tha Lajçak.

Ai paralajmëroi një takim ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorit të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç të hënën.

“Pra, kjo është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi se si të kemi një marrëveshje, ne kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit 1, hapit 2 dhe hapit 3, ky ishte qëllimi që kishim. Siç thashë, ishte një diskutim shumë intensiv por shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm me kryeministrin. S’dua të shkoj në detaje”, tha ai.

Zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se vizita e Lajçak në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë