Kosova

Lajçak takon kryenegociatorin serb: Po përgatisim takimin Kurti – Vuçiç

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se mëngjesin e së mërkurës është takuar me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç, që njëherësh është edhe kryenegociator i delegacionit serb.

“Pas takimit të djeshëm me delegacionin e Kosovës, këtë mëngjes kam pasur një diskutim të dobishëm me Petar Petkoviçin, kryenegociatorin serb. Më vonë do të ulem me të dyja palët për të biseduar rreth çështjeve aktuale dhe përgatitjes për një takim të ardhshëm të liderëve”, shkruan Lajçak në Twitter.

Lajçak ka zhvilluar një takim të martën edhe me delegacionin e Kosovës, i udhëhequr nga zëvendësministri Besnik Bislimi.

Ndërsa në Bruksel pritet që delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë të zhvillojnë një takim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Media kosovare “Zëri” shkruan se bisedimet e të mërkurës mes delegacioneve negociuese janë të parat në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, më 15 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë