Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, si dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti, së bashku me ministrin e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim bilateral në Konferencën e Sigurisë në Munih me Borrellin dhe Lajçakun.
“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, tha Kurti.
Ai iu referua deklaratës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila tha në dhjetor se vendi i saj nuk do t'i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.
Miroslav Lajçak, tha se normalizimi i raporteve mes dy vendeve është kyç për stabilitetin rajonal.
“Fola mbrëmë për rëndësinë kruciale për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në një panel diskutimi mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Normalizimi është kyç për stabilitetin rajonal, përparimin, zhvillimin dhe progresin drejt BE-së”, shkroi Lajçaku në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.