I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se janë duke punuar që takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, të mbahet brenda javësh.
“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk më ka kohë për të humbur”, tha ai.
Këto deklarata Lajçak i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me Kurtin, ku tha se është diskutuar edhe për çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Në nëntor, serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës (institucionet e drejtësisë, policia, niveli lokal, por edhe nga Qeveria dhe Kuvendi) në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave serbe.
Por, ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave, por jo edhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan – do të mbahen më 18 dhjetor.
Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Emisari europian tha po ashtu se në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur, që siç tha janë “një fjali larg” finalizimit të tekstit të marrëveshjes për këtë çështje.
Kurti, ka deklaruar më herët se Serbia nuk ka pasur gatishmëri në raundin e 18 gushtit, që të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar” për çështjen e të pagjeturve.
Ai ka thënë se mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket marrëveshjes, kanë të bëjnë me tekstin e saj. Kosova kërkon që të përdoret termi “zhdukje me dhunë”, ndërkaq Serbia kërkon përdorimin e termit “persona të zhdukur”.
Zyrtari i lartë i BE-së qëndroi në Prishtinë, më 6 dhjetor, një ditë pasi në Beograd takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Lajçak tha se me Vuçiçin diskutoi për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera, përfshirë edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti serb tha se me të dërguarin e bllokut foli për dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja, por edhe për problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




