Nga Gazeta ‘Si’- Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, pas dy ditësh do ta përfundojë mandatin. Ai ka thënë se BE-ja do të jetë e angazhuar në procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçaku thotë se vetë Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, do të përfshihet në këtë çështje, bashkë me Peter Sorensen, pasardhësi i Lajçakut në këtë pozicion.
Siç tregon Lajçaku, pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, që mbahen më 9 shkurt, do të ketë një propozim për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne kemi një analizë shumë të mirë të situatës dhe e dimë shumë mirë se, sidomos që nga vjeshta e vitit të kaluar, që kur Kosova hyri në fushatë zgjedhore, duhet të merremi me çështje specifike. Ne patëm tre takime të kryenegociatorëve gjatë vjeshtës dhe dimrit. U ulëm me orë të tëra dhe folëm shumë konkretisht për një sërë çështjesh”.
“Ne po përgatitemi që BE-ja të fillojë bisedimet në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se do të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe se dëshiron të udhëheqë procesin. Po përgatitet një qëndrim i BE-së, një propozim për të dyja palët”, ka thënë Lajçaku për Radiotelevizionin e Serbisë.
“Sigurisht, nuk mund të flas për këtë më në detaje tani. Pasardhësi im, Peter Sorensen, i cili është një diplomat me përvojë dhe e njeh mirë Ballkanin, do të jetë aty për të ndihmuar Kaja Kallas në këtë punë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.