Kosova

Lajçak pas takimit me Kurtin: Të mos shpërdorohet mundësia për arritjen e një marrëveshjeje

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se dy shtetet nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

Lajçak këtë deklaratë e bëri për gazetarët në Prishtinë më 13 tetor, pasi zhvilloi një takim dyorësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

“Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet europiane dhe amerikane më 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha Lajçak, kur u pyet nëse vitin e ardhshëm Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë ndonjë marrëveshje.

Diplomati europian tha se me Kurtin ka biseduar për çështjen e çuarjes përpara të normalizimit, për targat dhe energjinë.

Ai tha se ka biseduar edhe për “diskutimet që ne kemi nisur së fundmi”, që sipas tij kanë vazhduar përmes ndërhyrjes së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe bisedës telefonike që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi diskutuar për hapat e mëtejmë dhe pika e dytë në agjendë ishin çështjet aktuale, veçanërisht çështja e energjisë dhe e targave. Sepse, siç e dini, afati i fundit për targat e makinave është më 31 tetor dhe është shumë e rëndësishme për mua, dhe ne si BE dhe komunitet ndërkombëtar, të dimë se cilat janë planet dhe të shmangim ndonjë përshkallëzim të situatës. Kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.

Më 1 shtator, në Kosovë ka nisur fushata e riregjistrimit të makinave me targa të lëshuara nga Serbia në targa RKS- Republika e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thonë se targat që lëshohen nga Serbia janë ilegale, por deri më tani, interesimi i banorëve të Kosovës që përdorin këto makina – kryesisht në veriun e banuar me shumicë serbe – ka qenë i ulët.

Lajçak po ashtu tha se e ka informuar Kurtin për përfundimet e një takimi të mbajtur të hënën në Bruksel midis përfaqësuesve të sektorit të energjisë së Kosovës dhe Serbisë, lidhur me marrëveshjen për energjinë, që palët arritën më herët gjatë vitit.

I dërguari i bllokut europian për dialogun, tha se do të vizitojë javën e ardhshme Beogradin, me të njëjtin qëllim dhe agjendë.(REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë