Kosova

Lajçak: Takimi mes Serbisë dhe Kosovës së shpejti

Nga Gazeta 'Si'- Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, dhe se BE-ja po punon që i gjithë procesi të përshpejtohet.

Pas takimit në Qeveri, ai ka bërë të ditur se do të ketë edhe një takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka dashur ta bëjë të ditur datën, raporton Ekonomia Online.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiç) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, ka thënë ai, për një takim mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut.

Ndërsa, për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët gjatë ditës së sotme për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës, Lajçaku shpreson të mos ketë bllokime pasi “nuk ka arsye”.

Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sisteit serb.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviçit.// REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë