Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për arkivat e UÇK-së, pas një takimi të zhvilluar me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Krasniqi tha për mediat se UÇK-ja nuk pasur arkiva dhe ky është fakt i ditur botërisht.
Sipas tij, deklaratat për hapjen e arkivave janë të pavërteta dhe po shkaktojnë vetëm konfuzione.
“Qëndrimi ynë sa u përket arkivave është publik. Unë edhe sot me zotin Lajçak e kam ngritur këtë çështje. Ne besojmë që fokusi të jetë te çështjet e mëdha dhe nuk duhet që askush të tentojë me çështje më sporadike të ik nga përgjegjësit që i kanë.
UÇK-ja nuk ka pasur arkiva dhe ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo tjetër në një formë ose tjetër me qëllim apo qëllim thotë diçka të pavërtetë dhe shkakton konfuzione dhe që mund të jenë në favor të konspiracioneve dhe imagjinatës”, tha ai.

Po gjatë të enjtes, një takim me Lajcak ka zhvilluar edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
“Futja e dialogut, në tema sikurse ajo e arkivave të UÇK-së, është gabim. Kërkova që për këtë temë të ketë sqarim të saktë dhe të mos lejohet manipulim në diskurs publik”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai thotë se në takimin me Lajçakun ka theksuar se njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga dialogu.
“Në takim me Miroslav Lajçakun, të deleguarin e BE-së për dialogun, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, prezantova disa qëndrime. Fillimisht theksova se njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqe edhe integrim evropian. Dialogu nuk ka alternativë sikurse, që nuk ka kuptim stërzgjatja e procesit pa rezultate të qarta që çojnë drejt njohjes”, tha Tahiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




