Nga Gazeta ‘Si’ – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se në fund të kësaj jave do të presë negociatorët kryesorë të Beogradit dhe Prishtinës për një raund të ri bisedimesh, me qëllim gjetjen e një zgjidhje për dinarin.
“Unë pres që të dyja palët të vijnë në takim me mendje të hapur, të jenë fleksibël dhe të orientohen drejt gjetjes së një zgjidhjeje, bazuar në idetë e paraqitura në takimet e mëparshme”, tha Lajçak në Facebook.
Ai shtoi se pasi vizitoi disa shtete – Bullgarinë, Poloninë, Greqinë, e tani në Bosnje dhe Hercegovinë, vlerësoi se këtë javë do të jetë tema se si do të bëhet realitet momenti aktual i zgjerimit të BE-së.
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç janë takuar deri tani tre herë në Bruksel por nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje. Petkoviç tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




