Nga Gazeta ‘Si’- Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se këtë javë do të mbahet takimi i Komisionit të Përbashkët për çështjen e personave të zhdukur në Bruksel.
Lajçaku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është takuar me Jim O’Brien dhe Sasha Kasanofin, me të cilët ka diskutuar për dialogun.
“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington D.C. u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof.
Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, shkroi ai.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka takuar edhe zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.
Ai ka shtuar se me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo, kanë folur për rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Deklarata për Personat e Zhdukur, e miratuar më 2 maj nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, përcakton që të dy palët do të ofrojnë qasje të plotë në materialet dhe dokumentet e lidhura me personat e zhdukur, duke përfshirë ato që kanë statusin “konfidencial”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.