Nga Gazeta ‘Si’- I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Me një status në Facebook, Lajcak shton se këtë javë ka punuar në dokumente, të cilat i ka quajtur të rëndësishme, për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se gjatë kësaj jave është thelluar edhe më shumë në gjendjen aktuale në rajon, të cilën në disa raste, ai e ka quajtur shqetësuese. Ai shtoi se kërkon nga palët që të jenë plotësisht të fokusuara në normalizimin e marrëdhënieve.
“U takova gjithashtu me deputetin e Parlamentit Evropian, Matjaz Nemec, për të diskutuar perspektivat tona për ecurinë e dialogut dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor më gjerë në Parlamentin e BE-së. Është gjithmonë e dobishme të shkëmbehen pikëpamje për të qëndruar të përditësuar mbi zhvillimet e fundit”, thekson ai.
Më tej Lajçak konfirmon se ka zhvilluar biseda telefonike produktive me partnerët në terren për të kuptuar më mirë gjendjen dhe zhvillimet në veri të Kosovës.
Ditëve të fundit, në veri të Kosovës është raportuar për djegien e disa makinave të pronarëve serbë, të cilat kanë qenë të regjistruara me targa RKS – Republika e Kosovës.
Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një makine.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit.
Ai ka theksuar se shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Sipas tij institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese dhe u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




