Kosova

Lajçak i kërkon Asociacionin, Kurti: Plani i BE bazë për bisedime me Vuçiç

Nga Gazeta ‘SI’ – Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen. Kështu ka deklaruar emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak pas drekës së punës që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.

Me këtë Lajçak nënkupton edhe pranimin e Asociacionit nga qeveria Kurti.

“Ne diskutuam për këtë çështje dhe unë e informova kryeministrin për pozicionin tonë, por nuk dua ta bëj ilegalisht publike, mendoj që ka qenë e dobishme ky diskutim që patëm këtu, çfarë dua ta përsëris është se të gjithë u dakorduan se dialogu duhet të implementohet dhe kjo është se si normalizimi do të ndërtohet”.

BE kërkon të mos dështojë në arritjen e një marrëveshje gjatë takimit të pritshëm në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç.

Takimit një orësh i është bashkuar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffery Hovenier.

Vetë kryeministri Kurti në një postim në rrjetet sociale mbi këtë drekë pune, e ka cilësuar planin e BE-së për normalizimin e marrëdhenieve mes Kosovës dhe Serbi si një si “një bazë të mirë” për të ecur para me diskutime.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solide për të ecur më tej”, ka shkruar Kurti.

Por ai ka shtuar se në Bruksel me palën serbe duhet të diskutohet për gjërat teknike.

“Pyetje të rëndësishme mbi garancinë ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, shprehet më tej Kurti.

Ky është takimi i dhjetë që Lajçak zhvillon në Kosovë në përpjekje për të bindur palët për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Pas qëndrimit në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë drejt Beogradit për t’u takuar me presidentin serb Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë