Trashëgimi

Lahuta në UNESCO/ Studiuesi Halili: Ku dallon nga gusla serbe!

Nga Gazeta “SI”- Lahuta, instrumenti epik shqiptar që prej shekujsh ka shoqëruar gëzimet, por edhe vajet e malësorëve, më në fund është bërë pjesë e pasurisë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën e elementeve që kanë nevojë urgjente për mbrojtje.

Por përtej lajmit të gëzueshëm dhe me vlerë për trashëgiminë tonë kombëtare, pati edhe një diskutim që përfshinte guslën, instrumentin serb të ngjashëm me Lahutën, i cili është tashmë pjesë e UNESCO-s prej vitit 2018.

Ekipi i studiuesve që u mor me procesin kërkimor përbëhej nga Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigels Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.

Rigels Halili, pedagog në Universitetin e Varshavës dhe një nga studiuesit e hartimit të dosjes, thotë për GazetaSi.al se përfshirja e Lahutës është diçka krejt tjetër nga ajo e Guslës serbe.

Lahuta njihet nga UNESCO jo vetëm si instrument dhe pasuri kulturore botërore, por vihet në pah edhe rreziku i zhdukjes së saj.

“Dallimi është se gusla serbe, që përfshin Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën, ka hyrë në listën e pasurisë së trashëgimisë kulturore botërore jomateriale. Ndërsa Lahuta është futur në listën e pasurisë kulturore të rrezikuar. Ka një dallim këtu në mënyrën se si konceptohet kujdesi për këtë gjë.

Nëse gusla u fut në pasurinë kulturore botërore dhe është aty si një nga pikat e rëndësishme të të gjithë njerëzimit, po kështu njihet edhe lahuta, por njihet si një pasuri kulturore që rrezikon të zhduket. Kishte dy aspekte të dosjes së përgatitur. Përveçse në dosje duhet të argumentonim pse ia vlen të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore, duhet të dokumentonim se pse është edhe në rrezik, duke e bërë aplikimin tonë shumë më të komplikuar sesa aplikimi i Serbisë”.

Halili thekson se rrugëtimi drejt Lahutës nisi herët, që në vitin 2006, për t’u kurorëzuar vetëm pak ditë më parë. Ai nënvizon se një kontribut të veçantë kanë dhënë rapsodët e Rugovës dhe Dukagjinit.

“Rrugëtimi ynë  drejt lahutës nisi në vitin 2006, kur me ndihmën e të palodhurit prof. Zymer Neziri erdha në Rugovë. U takova me bacën Rustem Nikqin, me Haxhi Meta-Nilajn, me Hysen Kurtajn, e sidomos me bacën Isë Elezi, lahutarin e zemrës. Nuk harroj kurrë, kur me bacën Isë dolëm në majë të Hajlës, prej nga duken e gjithë Rugova, Rrafshi i Dukagjinit, Dacajt e Rozhajës dhe bjeshkët e Kelmendit. Këtyre burrave e plot të tjerëve në Rugovën heroike u takon falënderimi im i parë sot”.

Ai sqaron se lahuta jo vetëm që është njohur nga UNESCO, por tani e tutje do të ketë edhe politika efikase të ruajtjes së traditës së lahutës dhe trashëgimit të saj nga brezi në brez.

“Lahuta përbën atë që quhet edhe një traditë gojore, e pashkruar diku, pra e transmetuar nga etërit te bijtë. Dhe ky është elementi në fakt që është në rrezik: të ruhet kjo traditë e trashëgimit të kësaj kulture.

Në fakt, kudo thuhet se lahuta u fut në UNESCO, por është tradita dhe ruajtja e saj si element në rrezik, të cilin tashmë UNESCO e ka përfshirë. Dosja jonë ishte e kopsitur mirë në detaje, dhe ka qenë një punë kolosale, që nga buxhetet e deri te direktivat e ruajtjes së kësaj tradite. Si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, për t’u dhënë mundësi lahutarëve që të mësojnë të rinjtë. Është një detyrë që duhet të mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës, por edhe nga Bashkitë”.

Studiuesi Rigels Halili thotë se e njeh mirë edhe ekipin serb që u mor me aplikimin për guslën, por që u hodh poshtë herën e parë nga UNESCO për shkak të karakterit të këngëve të përfshira në dosje, të cilat i dedikoheshin kriminelëve të luftës Mlladiç dhe Karaxhiç.

Rigels Halili

“Unë e njoh shumë mirë edhe ekipin e Serbisë që përgatiti dosjen për UNESCO-n e guslës. Herën e parë dosja e tyre u hodh poshtë, sepse këngët që kishin përfshirë si ilustrim ishin këngë të reja që këndonin rapsodët e Malit të Zi, ku ndër të tjerash lavdëroheshin Karaxhiçi dhe Ratko Mlladiç, çka bëri që ky aplikim të binte poshtë. Dhe në vitin 2018, dosjen e mori në shqyrtim muzeu etnografik i Beogradit, duke e ribërë dhe aplikuar për së dyti në UNESCO”.

Në fund, studiuesi Halili shprehet i gëzuar për arritjen e qëllimit dhe thekson se kjo përfshirje duhet të na bëjë më të përgjegjshëm ndaj kësaj tradite të mrekullueshme, siç është ajo e këngëve dhe tingullit të lahutës e cila rrezikon të zhduket.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë