Kukësi, Teuta dhe Laçi mësojnë sot rivalët në ndeshjet kualifikuese të Europa League. Gjithashtu edhe dy skuadra shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe Renova, pritet të njihen me kundërshtarët.
Kukësi dhe Laçi rrezikojnë ndeshje të vështira. Goglat nuk janë treguar aspak bujare me verilindorët, pasi tre kundërshtarët e mundshëm të ekipit të Skënder Gegës janë: Wolfsburg (Gjermani), Hajduk Split (Kroaci) dhe HSK Zrinjski (Bosnje). Me një prej këtyre tre ekipeve do të ndeshet edhe Renova, skuadra tjetër shqiptare që ndodhet në të njëjtin grup me verilindorët.

Laçi mund të peshkojë portugezin Jose Mourinho si kundërshtar. Tottenham gjendet mes tre rivalëve të mundshëm të Laçit në ndarjen në minigrupe që ka bërë UEFA para shortit. Kurbinasit rrezikojnë sërish një përballje me Hapoel Beer Sheva, skuadër me të cilën u ndesh edhe vitin e shkuar. Rivali tjetër i mundshëm është Kolos Kovalivkas të Ukrainës, një ekip me vetëm 6 vite histori, i cili debuton për herë të pare në Europë.

Teuta do të dojë të shmangë skuadra si Granada, surpriza e edicionit të fundit në Spanjë, duke u renditur në vendin e shtatë dhe siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në Europa League. Emri tjetër në listë është një ekip që ka përvojë në arenën ndërkombëtare e ka luajtur rregullisht edhe në grupe, qipriotë e Apollon Limasol. Me këtë skuadër vetë Teuta është ndeshur në turin paraeliminator të Kupës UEFA në sezonin 1994-1995, duke u mundur në të dy ndeshjet. Ndërsa kundërshtari i fundit është Steaua e Bukureshtit, ekip i ri që trashëgoi historinë e ekipit të lavdishëm.

Edhe Shkëndija e Tetovës sot mëson rivalin. Kuqezinjtë, që ndodhen në vazon e favoritëve, do të sfidojnë një nga këto tre ekipe: Botoşani (Rumani), CSKA-Sofia (Bullgari), dhe Sfintul Gheorghe Suruceni (Moldavi).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




