Futboll

Laçi reziston edhe me 10 vetë në Moldavi, Guri i jep fitoren Shkëndijës

Gazeta Si – Laçi shmang humbjen në Moldavi ndaj Petrokub. Kjo ndeshje ka përfunduar me rrjeta të paprekura, por barazimi merr vlera edhe më të mëdha, sepse ekipi shqiptar luajti me 10 vetë për më shumë se 60 minuta. Portieri dhe mbrojtja kanë meritat kryesore për barazimin.

Pa u mbushur 30 minuta lojë, kurbinasit mbetën me 10 vetë. Spahiu u ndëshkua me dy kartonë të verdhë dhe e la skuadrën e tij me 10 vetë, duke ia vështirësuar jo pak punën në këtë transfertë.
Në fundin e pjesës së parë Laçi ishte me fat. Portierit Dajsinani i erdhi në ndihmë traversa, pas një gjuajtje nga jashtë zonës së Turcan.

Trajneri Shpëtim Duro ndërhyri nga stoli pas minutës së 65-të, duke hedhur në fushë Çuçin, Babatunde dhe sulmuesin Guindo, i cili e nisi nga stoli këtë ndeshje. Barazimi pa gola, duke pasur parasysh si shkoi ndeshja, është pozitiv. Laçi ka shanse reale për të kaluar në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

Shkëndija feston golin e Gurit. Gazeta Si, 21 korrik 2022

Shkëndija e Tetovës fitoi në transfertën letoneze ndaj Valmieras. Për tetovarët shënuan Doriev dhe sulmuesi shkodran Sindrit Guri. Me këtë fitore, Shkëndija hedh një hap të sigurt drejt kualifikimit në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

Një rezultat të mirë arriti sot edhe Drita. Kosovarët barazuan 0-0 në transfertë ndaj belgëve të Antverp, ku luan edhe mesfushori i njohur Radxha Naingolan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë