Ishte iniciatori i dhunës që shpërtheu në stadiumin e Ballshit ditën e shtunë. Kirian Nuabueze, pas kartonit të kuq të marrë në atë ndeshje dhe dënimit që pritet të marrë nga Komisioni i Disiplinës, është dënuar edhe nga klubi i tij, Laçi, që e ka pezulluar pa afat për shkak të sjelljes së pahijshme.
“KF Laçi, pasi ka parë gjithçka ka ndodhur përmes videove në ndeshjen me Bylisin, ka zhvilluar një mbledhje urgjente dhe ka vendosur pezullimin e përkohshëm të sulmuesit Kirian Nuabueze. Sherri në sfidën me Bylisin dënohet nga klubi ynë, sikurse edhe sjellja e futbollistit tonë. Pavarësisht arsyeve, nga ne nuk mund të pranohen veprime të tilla. Nuabueze do të jetë i pezulluar për momentin dhe ndaj tij do të merren edhe masa të tjera. Dhuna në futboll nuk ka vend dhe ne si klub mbështesim futbollin e bukur”. Ky është njoftimi i klubit kurbinas në faqen e tij në Facebook.
Nuabueze u ndëshkua me karton të kuq në Ballsh. Më pas ai reagoi ndaj lojtarit, të cilin e kishte goditur, duke provokuar edhe sherrin masiv. Pamjet filmike tregojnë qartë që sulmuesi kryesor i Laçit gjuan me grushte kundërshtarin dhe dënimi për të pritet të jetë i rëndë. Edhe vetë klubi tashmë ka mbajtur qëndrim ndaj lojtarit, me të cilin këtë sezon ka pasur edhe fërkime sa i takon kontratës.
Sezonin e kaluar Nuabueze u shpall golashënuesi më i mirë i Superiores, duke fituar “Këpucën e Artë”. Për sulmuesin me nënshtetësi amerikane ka pasur interesim nga klube të huaja, por ai qëndroi në Laç dhe javët e fundit ka qenë protagonist me gola, kurse të shtunën ishte protagonist me grushte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.