Futboll

Laçi “pazar në Itali”, afron mbrojtësin e kombëtares U-21

Ka filluar merkato dhe ekipet e Superligës Shqiptare kanë filluar me zyrtarizimin e afrimeve të para. Më aktive në këto ditë të para janë shfaqur Teuta dhe Kukësi që kanë bërë disa afrime dhe përfliten edhe për disa blerje të tjera. Por edhe ekipet e tjera të Superiores nuk mbeten pas dhe i kanë filluar lëvizjet e para. Një afrim shumë të bujshëm këto ditë të para të janarit ka bërë Laçi. Kurbinasit kanë arritur marrje e mbrojtësit Irlian Ceka. Ky i fundit ka qenë pjesë e kontingjentit të kombëtares U-21 dhe është produkt i dalë nga akademia e Lacios në Itali.

Afrimi i Cekës konfirmon edhe një herë tjetër politikën e ndjekur nga Laçi me lojtarët e rinj. Në tre vitet e fundit, kanë qenë disa futbollistët e rinj të marrë nga ekipi kurbinas, që më pas janë shitur për shifra të konsiderueshme. Në bazë të cilësive dhe duke besuar në aftësitë e trajnerit Prenga me të rinjtë, mendohet se e njëjta taktikë do të ndiqet edhe me Ilirian Cekën.

Vetëm 20 vjeç Ceka pasi u largua nga Lacio U-19, u transferua në klubin Sambenedetese në Serinë C. Por edhe në kategorinë inferiore italiane, mbrojtësi kuqezi hasi vështirësi në ambientin dhe mbeti pa klub. Tashmë ai do të jetë pjesë e Laçit, duke pasur një mundësi të dytë në karrierë, nga ku mund të tentojë ringritjen sërish për në nivelet e larta europiane. Mësohet se ky nuk do të jetë afrimi i vetëm i Laçit këtë merkato, që synon të kualifikohet sërish për në Kupat e Europës.

Sakaq edhe nga klubet e tjera të Superligës janë duke u bërë lëvizjet e para në këtë merkato. Në këto ditë të para më shumë është menduar për largimin e futbollistëve të panevojshëm për vijimin e sezonit, ku spikat Kastrioti që deri më tani ka bërë 11 largime dhe ende nuk e ka gjetur trajnerin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë