Ngjarje

‘La diçka pa publikuar’ / Botuesi Hudhri flet për çastet e fundit të Kadaresë: Ambulanca pa impiantet e nevojshme. Brataj e mohon

Kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, iu dha lamtumira e fundit me homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në homazhe nuk mund të mungonte botuesi i tij, Bujar Hudhri, i cili i ka qëndruar gjithnjë në krah shkrimtarit Kadare.

Në një prononcim për mediat, ai u ndal në marrëdhënien me Kadarenë, por edhe momentet e fundit të tij para se të ndërronte jetë në QSUT.

Hudhri tha se ishte një ambulancë e thjeshtë që e mori, pa ndonjë impiant që mund t’i vijë në ndihmë. E nga ana tjetër, tregon se ambulanca mezi hapi rrugën për të shkuar në spital, duke thënë se kjo është alarmante, jo vetëm për Kadarenë, por për çdo qytetar që përballet me një situatë të tillë.

“Kur e pashë të shtrirë në atë korridor, ku kishte qenë shumë herë dhe e shikoje gjithmonë në këmbë, i qeshur, solid dhe dukej sikur s’do ikte kurrë nga kjo botë. E morëm në ashensor, ishte në gjendje gati i ngrirë. Hipëm në ambulancë, shume e thjeshtë, pa ndonjë impiant që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit, mezi kemi çarë rrugët e Tiranës, ku megjithëse ulërinte sirena, njerëzit nuk hapnin rrugën. Derisa mbërritëm në urgjencën e QSUT dhe pak sa hapej dera mund të shihje mobilizimin e madh të mjekëve rreth krevatit të tij çka tregonte se diçka jo e mirë po ndodhte, derisa heshti gjithçka”.

Pas kësaj deklarate, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj doli në një reagim për mediat duke thënë se ky pretendim nuk është i vërtetë dhe se ambulanca që ka marrë Kadarenë i kishte të gjitha kushtet. Brataj tha se nuk e di nëse një botues mund ta vlerësojë këtë gjë, ndërsa e ‘shigjetoi’ duke i thënë se mbase s’ka pasur syzet pasi Kadare ka marrë të gjithë ndihmën mjekësore sipas protokollit nga momenti i mbërritjes së ambulancës deri në spital kur nuk u bë dot asgjë për ta rikthyer në jetë për shkak të arrestit kardiak.

“Hudhri vetëm të mos ketë pasur syze, se defilibratori ishte i montuar dhe ekipi mjekësor që bënte masazhin kardiak edhe gjatë transportit drejt spitalit. Hudhri ka ardhur më vonë pasi e ka gjetur ekipin në vendngjarje. Është zbatuar protokolli për të shpëtuar jetën e zotit Kadare”, tha Brataj.

Dorëshkrim i papublikuar?

I pyetur nëse mund të ketë ndonjë vepër të publikuar të Kadaresë, Hudhri tha se ai nuk tregonte, por flet për një krijimtari që mund ta ketë lënë pa nxjerrë në treg. 

“Ai kurrë nuk tregonte se çfarë kishte duke shkruar. Kur e kishte nisur dhe do bashkëpunonte me botuesin, ti kuptoje që një vepër e re ka nisu. Ai nuk e tregonte, thonte jam supersticioz. Mund të ketë, ndoshta gjenia e tij nuk mund të rrinte pa krijuar, shpesh herë e kam pyetur. Ajo që unë mendoj se ka lënë ishte diçka që ka nisur tek kafe Rostan, një kapitull që quhet ‘Mozaikale’ aty janë disa tekste të shkurtra, si xhevahire, brilante, ndoshta kjo bëhet sepse talenti i tij i madh bën që të japë të tilla mrekullira. Jam e sigurt që këtë ka lënë, se shpesh më thonte po, një ngjarje të Juvenilja, një takim, një figurë gruaje. Nga nesër e tutje vendos zonja Kadare me dy bijat”, tha Hudhri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë