Nga Gazeta ‘Si’ – Asnjë dritë nuk hyn në zyrën e shefit të spiunazhit ushtarak të Ukrainës, gjeneral-lejtënant Kyrylo Budanov. Muret janë të fortifikuara, dritaret të përforcuara me thasë rëre ndërsa perdet e mbyllura. Budanov, 38 vjeç, mbërriti për të dhënë një intervistë për Financial Times, duke hyrë në një derë e stolisur me një ikonë fetare.
Ai urdhëroi menjëherë njërin nga ndihmësit që të fikë dritat. “Më pëlqen errësira!”- tha ai.
Si kreu i Njësisë Kryesore të Inteligjencës (GUR) të Ministrisë së Mbrojtjes, Budanov ka organizuar luftën e fshehtë të Ukrainës kundër Rusisë, duke u shndërruar në një nga figurat më të famshme të luftës ndaj rusëve.
Edhe pse i ka mbijetuar të paktën 10 atentateve, Budanov vazhdon të jetojë në këtë zyrë në periferi të kryeqytetit ukrainas, të zbukuruar me simbole patriotike dhe memorialet e luftës, dhe me bretkosën e tij të dashur Petro, që noton në akuariumin e saj pranë një tanku në miniaturë, të vendosur pranë tavolinës së tij të punës.
Detyra e tij e përditshme është planifikimi dhe kryerja e sulmeve të vazhdueshme prapa linjave të armikut, në territorin e pushtuar nga Rusia por edhe brenda vetë Rusisë. Por shefi i spiunazhit merr rrallë përgjegjësinë për to. Kjo qasje, e detyron Moskën dhe pjesën tjetër të botës të hamendësojë vazhdimisht mbi kapacitetet dhe shtrirjen e operacioneve të drejtorisë së tij.
Një nga bëmat e fundit të njësisë së tij javës që shkoi, ishte një sulm me dron pranë Shën Petersburgut, që goditi një stacion të përpunimit të naftës, por edhe një fabrikë të prodhimit të barutit si dhe një depo nafte në rajonin Bryansk, në veri të kufirit me Ukrainën.
Taktikat brutale i kanë zemëruar ndonjëherë edhe aleatët perëndimorë të Ukrainës. Sepse disa prej tyre, druhen se ato mund të provokojnë një përgjigje brutale dhe ndoshta edhe bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin. Por Budanov nuk impresionohet nga shqetësime të tilla.
Ai zotohet të vazhdojë sulmet brenda Rusisë, për ta sabotuar sa më shumë makinerinë luftarake të Putinit. “Ne nuk parashikojmë ndonjë ndryshim drastik të strategjisë sonë në të ardhmen e afërt. Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kemi bërë deri më sot”- thekson ai.

Budanov e di se ky do të jetë një vit shumë sprovues për Ukrainën, që po lufton ndaj Rusisë prej më shumë se një dekadë, që kur ushtarët e Kremlinit, pa simbolet e tyre zyrtare, u shfaqën në Krime dhe në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas.
“Të thuash se gjithçka është në rregull, kjo nuk është e vërtetë. Por edhe ta cilësosh si një katastrofë, as kjo nuk është e vërtetë”- thotë Budanov kur e pyetëm për kundërsulmin e shumëpërfolur të Ukrainës vitin e kaluar, që dështoi në arritjen e objektivave të tij.
Ai parashikon se Ukraina do të arrijë ta mbajë Putinin larg pjesës më të madhe të vendit, duke shtuar se deri tani konflikti ka vërtetuar se “e gjithë legjenda mbi fuqinë e Rusisë, është një flluskë sapuni”. Si një ushtar i forcave speciale që ka luftuar në Donbas në vitin 2014, Budanov ka marrë pjesë vetë në shumë misione sekrete, përfshirë edhe ato në gadishullin aktualisht të pushtuar të Krimesë.
Trupi i tij bart ende shenjat e plagëve të disa prej operacioneve:copëzat nga një minë, që në një rast e goditën shumë pranë zemrës, dhe për pak sa nuk e vranë. Po ashtu, ai ka pësuar edhe thyerje të qafës dhe shpinës, teksa njëherë është plagosur në njërin krah.
Ai u emërua në krye GUR nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy në vitin 2020. Operacionet e tij të fshehta – Kremlini fajësoi GUR për shpërthimin e fuqishëm në Urën e Krimesë në tetor 2022 – e kanë rigjallëruar agjencinë, e cila prej kohësh ishte si një nën-degë e agjencisë shumë më të madhe të Ukrainës, Shërbimit për Sigurinë e Brendshme, SBU.
Për këtë arsye Budanov gëzon një respekt shumë të madh në mesin e ukrainasve, të cilët shpërndajnë meme me fotot e tij në mediat sociale, sa herë që ka shpërthime në objektet ushtarake në Rusi apo në zonat e kontrolluara nga Rusia. Megjithatë kjo ka ardhur me një kosto për të.
Sa herë që lëviz jashtë zyrës, Budanov shoqërohet nga shumë truproja dhe agjentë sekretë. Nga shumë tentativa për vrasje, me rrezikshmja ishte ajo e vitit 2019, kur një bombë e vendosur poshtë makinës së tij shpërtheu para kohe. Ai shpëtoi pa asnjë plagë.

Por gruaja e tij, Marianna Budanova, pati më pak fat kur u helmua qëllimisht me metale të rënda në nëntor 2023, së bashku me disa oficerë të GUR. “Ajo po kurohet ende, dhe tani ndihet më mirë”-thotë Budanov. Ai refuzoi të sqaronte nëse ai apo gruaja e tij ishte objektivi i i helmimit.
Po ashtu Budanov hezitoi të jepte një vlerësim mbi operacionet aktuale ushtarake të Ukrainës, duke ia lënë këtë shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Por paralajmëroi se “nuk mund të imagjinohet që mund t’ia dalim pa një mobilizim të ri”, duke i bërë jehonë thirrjes së drejtuesve të lartë për më shumë rekrutë.
“Mungesa e burimeve njerëzore është e dukshme”-thotë ai. Zelenskyy ka thënë se shefat e tij të ushtrisë i kërkuan të mobilizonte rreth 400.000-500.000 ushtarë të rinj për të zëvendësuar të vrarët ose të plagosurit, dhe për t’i lënë të pushojnë ata që janë përfshirë në luftimet më të ashpra.
Një vit më parë, Budanov parashikoi, bazuar tek kundërofensivat e suksesshme të vitit 2022 që çliruan pjesën më të madhe të rajoneve të Kharkiv dhe Kherson, se forcat ukrainase do të vazhdonin të përparonin deri në Krime. Në fakt, trupat ukrainase nuk arritën të çajnë mbrojtjen e fortifikuar të Rusisë.
Vija e frontit mbetet pothuajse e njëjtë siç ishte një vit më parë. Por Budanov thotë se nuk e kishte gabim. “Edhe pse planet fillestare sugjeronin diçka ndryshe, ne e mbajtëm premtimin tonë. Këtë verë, njësitë tona hynë në mënyrë të përsëritur në Krime”-thotë ai, duke iu referuar komandove të tij që hynë fshehurazi në gadishull për të kryer sulme mbi bazat ruse.

Duke iu kthyer çështjes së prodhimit të armëve, Budanov tha se Rusia po harxhon më shumë armë dhe municione sesa mund të prodhojë, teksa ka probleme serioze me cilësinë. “Për këtë arsye, ajo po kërkon armë në vende të tjera”- thekson ai. Koreja e Veriut është aktualisht furnizuesja më e madhe me armë e Rusisë.
“Ata i dërguan një sasi të madhe municionesh artilerie. Dhe kjo i dha mundësi Rusisë të merrte disi frymë. Pa ndihmën e tyre, situata e saj do të kishte qenë katastrofike”- shton Budanov. Gjithsesi Rusia nuk do të preferonte të mbështetej tek ndihma e jashtme, pasi është cilësuar gjithmonë si diçka poshtëruese.
Një sfidë tjetër me të cilën përballet Rusia është fuqia punëtore. Moska po humb po aq ose më shumë trupa sesa mund të rekrutojë thotë Budanov. Ndihmësi i tij, Vadym Skibitskyi, tha këtë javë se rreth 1.000-1.100 njerëz i bashkohen ushtrisë ruse çdo ditë, përmes mobilizimit apo vullnetarisht.
Aty ku dështon mobilizimi, ndihmojnë grupet mercenare shprehet Budanov, duke përmendur grupin Wagner, të themeluar nga i ndjeri Yevgeny Prigozhin. Në lidhje me këtë të fundit, ai bën disa deklarata të forta që janë thuajse të pamundura për t’u verifikuar.
“Wagner ekziston ende dhe ne nuk mund të nxitojmë të pranojmë vdekjen e Prigozhin”- deklaron ai. Kremlini e mohoi përfshirjen në vrasjen e tij, dhe tha se ADN-ja vërtetoi se Prigozhin kishte vdekur. Por trupi i tij nuk u pa kurrë publikisht. “Unë nuk po them se ai nuk ka vdekur apo se ka vdekur. Po them se nuk ka asnjë provë të vetme që ai ka ndërruar jetë”- thotë Budanov.
Një hobi tjetër i preferuar i Budanov është shëndeti i Putinit. Më herët ai ka thënë se presidenti rus vuan nga kanceri. Edhe sot Budanov këmbëngul se sheh rregullisht “klone”
të Putinit në televizion. I pyetur për provat, Budanov tha se analistët e tij studiojnë “fizionominë” e Putinit. . . cepat e veshit, distancën midis vetullave etj”.
“Nuk është dhe aq e vështirë. Këtë mund ta bësh lehtësisht vetë”- shtoi ai, duke ngritur supet sikur të sugjeronte se shfaqjet e kreut të Kremlinit ishin një hile e dukshme. Më në fund, duke iu rikthyer temës së luftës, Budanov nuk pranoi të bënte ndonjë parashikim të guximshëm për këtë vit:”Jo, unë shpresoj vetëm që suksesi ynë të jetë më i madh se i tyre”. Pastaj doli nga dhoma e zhytur në errësirë.
Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




