Pas më shumë se katër vitesh nga suksesi në Wimbledon dhe dy vite pasi rrezikoi karrierën nga një sulm me thikë, Petra Kvitova ka mundur Collins dhe kthehet të luajë një finale, ku do të përballet me fituesen e “Us Open”, Noemi Osaka. Japonezja eliminoi Pliskovën dhe tani është radha e finales, që luhet të shtunën dhe përcakton numrin 1 në botë.
Tenistja çeke, Petra Kvitova, ka arritur në finale pas një fitoreje komode, 7-6 dhe 6-0, ndaj amerikanes Danielle Collins, e cila kishte surprizuar në këtë turne. Një gjysmëfinale që në fakt zgjati vetëm një set, ku amerikania dha gjithçka, ndërsa më pas superioriteti i ekspertes Kvitova ishte i dukshëm. Ajo e mbylli ndeshjen brenda 94 minutash. Danielle Collins e nisi ndeshjen shumë mirë, me kurajë, me kokën lart dhe pa frikë ndaj kundërshtares së fortë. Por Kvitova, falë bagazhit të saj të lartë teknik, ia doli të fitonte setin e parë. Në këtë set, në barazimin 4-4, ndeshja u ndërpre për shkak të temperaturave shumë të larta në “Rod Laver Arena”.

Për Kvitovën do të jetë finalja e tretë në një turne, pas dy fitoreve në Wimbledon, në vitin 2011 ndaj Maria Sharapovës dhe në vitin 2014 ndaj Eugenie Bouchard. Në Australi nuk i kishte kaluar kurrë gjysmëfinalet. Tenistja çeke vjen në finale pa humbur asnjë set. Gjashtë gejmet e humbura në gjysmëfinale ndaj Collins janë rezultati i saj më i keq: 5 gejme i kishte lënë në turin e parë Magdalena Rybarikova, 4 në turin e dytë Irina Camelia Begu, 5 në turin e tretë Belinda Bencic, 3 në turin e 1/8-ve Amanda Anasimova dhe 5 në çerekfinale Ashleigh Barty. Kvitova ka ecuri pozitive prej 11 ndeshjesh, që pas humbjes në Brisbane kundër Anett Kontaveit.
Në finalen e “Australia Open” Kvitova gjen Noemi Osaka, e cila mundi Pliskovën në tre sete, 6-2, 4-6 dhe 6-4. Pliskova, ndryshe nga gjysmëfinalja me Serena Williams, ka pasur vështirësi ndaj japonezes, sidomos në gjuajtjet në thellësi të Osakës, e cila u tregua e pamëshirshme. Tenistja japoneze vuajti më shumë në fundin e setit të dytë, duke humbur disa topa dhe ndeshja shkoi me set të tretë, pas rilindjes së Pliskovës. Stratosferike (81%) përqindja e pikëve të Osakës, që tani mendon për finalen.

“Nuk e dija, nëse do të luaja sërish tenis”, – tha pas fitores Kvitova, që në vitin 2016, tre gishta të dorës së majtë, me të cilën luan, i kishte gjysmë të paralizuar, pas sulmit me thikë të një hajduti që tentoi t’i vidhte shtëpinë. “Ishte nj udhëtim i gjatë dhe jam e lumtur që kam ardhur deri këtu”, – shtoi ajo. Kurse kundërshtarja e saj në finale, Osaka, u shpreh: “Prisja që Pliskova të rifutej në ndeshje pas setit të parë, pasi më ka mundur dy herë. Prandaj në setin e tretë e shtova ritmin. Dua të them se nuk më pëlqen të luaj me çati të mbyllur, dua që të shkëlqejë dielli”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje