Ushqim

Kuzhina shqiptare ngjitet në renditje, por është e parafundit në rajon për 2025

Nga Gazeta Si- Kuzhina shqiptare ka fituar një ngjitje rekord në renditjen e vitit 2025 mbi kuzhinat më të mira në botë por përsëri është poshtë gjysmës së renditjes prej 100 vendesh.

Ndërsa vitin e kaluar Shqipëria renditej në vendin e 96, këtë vit kuzhina jonë renditet në vendin e 77.

Sipas Taste Atlas, një guidë mbi përvojat e ushqimit tradicional që mbledh receta autentike, komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor rreth përbërësve e pjatave të njohura, pjatat më të mira shqiptare që duhet të provojnë turistët janë korani, fërgesa, sarma, qoftet dhe gjiza.

Italia ka rrëmbyer vendin e parë këtë vit, duke kaluar Greqinë. Pas Italisë dhe Greqisë, pesë vendet e para plotësohen nga Peruja, Portugalia dhe Spanja. Ndërkohë, kuzhina serbe renditet në vendin e 12-të dhe Maqedonia në vendin e 53.

I vetmi vend në ballkan që është i renditur poshtë Shqipërisë është Mali i Zi që renditet në vendin e 91.

Në kategorinë e qyteteve më të mira për ushqim, Napoli ka marrë vendin e parë, e ndjekur nga Milano, Bolonja, Firence, Mumbai dhe Xhenova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë