Politike

Kuvendi voton fondet për zgjedhjet, PD dhe LSI mbesin jashtë


Për zgjedhjet e ardhshme lokale, Kuvendi ka vendosur që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ti shpërndajë partive politike të regjistruara për procesin e 30 qershorit fondin prej 65 milionë lekësh të reja.
Projektvendimi “Për miratimin e fondit nga buxheti i shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të vitit 2019” nuk ka të përcaktuar mënyrën se si do të ndahet kjo vlerë që akordohet sa herë që ka zgjedhje parlamentare apo lokale në Shqipëri. Por KQZ-ja do të veprojë mbi bazën e neneve 87 dhe 88 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet në mënyrë specifike se si shpërndahet ky fond.
Neni 87, pika 1 përcakton se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor përkatës. Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
Sipas formulës së llogaritur, KQZ përcakton me vendim vlerën lekë të një vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e radhës, që kanë fituar jo më pak se 0,5 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi. Vlera e votës shumëzohet me votat totale që kanë marrë secila parti në zgjedhjet e fundit.

Mbi bazën e këtij përcaktimi, Partia Socialiste pritet të marrë pjesën më të madhe të fondit, pothuajse 80% të saj, pasi opozita parlamentare nuk është regjistruar në zgjedhje. Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut si edhe 3 forca të tjera politike nuk do të përfitojnë asnjë fond nga buxheti i shtetit, pasi nuk janë subjekt i fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit.

Nga fondi që akordohet nga buxheti i shtetit 5%, sipas nenit 88 iu shpërndahet partive politike që hyjnë për herë të parë në zgjedhje. Mbi 3 milionë lekë do të shpërndahen për partitë e reja, ku pjesë e saj do të jetë edhe Bindja Demokratike, e krijuar së fundmi nga Astrit Patozi.
Për zgjedhjet lokale të 30 qershorit janë regjistruar 42 parti politike gjithsej, ku ka vetëm dy koalicione politike “Aleanca për Shqipërinë Europiane” e kryesuar nga PS-ja, në përbërje të së cilës janë 22 parti dhe koalicioni “Shpresa për Ndryshim” në përbërje të së cilës janë 6 parti politike.

Dokumenti i vendimit të Kuvendit për shpërndarjen e fondeve për subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 qershorit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë