Politike

Kuvendi pr/rezolutë me 10 rekomandime për SPAK, Deliu: Ka thyer pandëshkueshmërinë

Deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu prezantoi sot Projektrezolutën e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2023.

Deliu vlerësoi punën e SPAK duke u shprehur se, “në 5 vite SPAK ka dëshmuar që është strukturë serioze që ka thyer pandëshkueshmërinë duke rritur shpresën për nëj Shqipëri demokratike në drejtim të sundimit të ligjit”.

Në Projektrezolutë thuhet se, “Kuvendi i Shqipërisë duke vlerësuar rolin e Prokurorisë së Posaçme në ushtrimin e ndjekjes penale, hetimin, përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës së Lartë; Duke vlerësuar pavarësinë institucionale të Prokurorisë së Posaçme në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; Duke vlerësuar rritjen e besimit të publikut dhe të institucioneve ndërkombëtare ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkon që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,  për vitin 2024, të angazhohet veçanërisht dhe në këto drejtime:

Të hartohet një strategji e posaçme për prioritizimin e çështjeve dhe procedimeve të mbartura;

Të intensifikohen hetimet paralele financiare për rastet e krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm, terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Të vijojë angazhimin në sigurimin e aplikimit të uniformizuar të standardeve të hetimit dhe ndjekjes penale, duke garantuar barazinë para ligjit.

Të vijohet me forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike me fokus hetimet financiare e të kriptovalutave.

T’i kushtohet vëmendje krimeve zgjedhore, veçanërisht fakteve të bëra publike në media para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, për të filluar hetimin kryesisht në rastet kur ka njoftime publike për kryerjen e një vepre penale.

Të tregohet një vëmendje e shtuar ndaj denoncimeve që vijnë nga publiku si dhe të rritet numri i hetimeve të kryera nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për çështje me ndjeshmëri të lartë publike.

Të angazhohet në plotësimin e vakancave me qëllim funksionimin në eficencë të plotë të

Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Të përmbyllë procesin e hartimit dhe miratimit të akteve të tjera nënligjore të cilat rezultojnë pa miratuar, për të përfunduar plotësimin e kornizës strategjike institucionale.

Të angazhohet në pilotimin dhe testimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, me qëllim vënien në efiçencë brenda vitit 2024, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij sistemi në punën e Prokurorëve dhe Hetuesve të strukturës.

Të angazhohet në përmbushjen me efektivitet të detyrimeve institucionale në kuadër të raportimeve gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë