Politike

Kuvendi përfshin Enver Hoxhën në listën e personaliteteve që duhen nderuar. Opozita: Skandaloze!

Nga Gazeta ‘Si’– Instituti Parlamentar ka publikuar listën e personaliteteve kombëtare për muajin Tetor, ku shihet se mes figurave si Dritëro Agolli, Naim Frashëri apo Sulejman Delvina, bën pjesë edhe ish-diktatori Enver Hoxha.

Vendimi mban firmën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Futja e emrit të ish-diktatorit në listën e personaliteteve që duhen nderuar, është denoncuar jo vetëm nga deputetët e opozitës por edhe nga shoqëria civile.

Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim është përshkrimi zyrtar që Kuvendi i Shqipërisë i bën Hoxhës, duke e quajtur “Udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”.

Deputeti i PD Belind Këlliçi në një reagim në Facebook e ka konsideruar si kriminale dhe të turpshme futjen e figurës së Enver Hoxhës në listën e personaliteteve kombëtare të muajit tetor.

“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”, shkruan Këlliçi.

Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i ka kërkuar Kuvendit ta tërheqë menjëherë këtë dokument.

“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, thuhet në e-mailin që deputeti i Mundësia i ka dërguar Kuvendit.

Ndërkohë, Qëndresa Qytetare në një reagim thekson se futja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor në Kuvend është sipas saj, si të futet emri i Hitlerit në hollet e Bundestagut!

“Në një vend ku plagët e komunizmit nuk janë mbyllur ende dhe qindra trupa janë ende të zhdukura, futja e figurës së Enver Hoxhës në listën e personaliteteve kombëtare të muajit tetor nga Kuvendi i Shqipërisë është një akt skandaloz.

Emri i tij radhitet krah personaliteteve të kombit që u vranë e u përndoqën nga ai, për mëkatin e vetëm se donin Shqipërinë e madhe.

Të vendosësh emrin e Enver Hoxhës në krah të Gjergj Fishtës, të cilit ia zhduku edhe varrin, dhe në krah të Mit’hat Frashërit, të cilin e përndoqi deri në vdekje jashtë atdheut, nuk është gabim burokratik, por është akt”, thekson reagimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë