Politike

Kuvendi nis me kundërshti nga PD, miratohet shtyrja e 4 projektligjeve

Nga Gazeta ‘Si’- Numri i lartë i projektligjeve në seancë plenare u bë shkak që kjo e fundit të nisë me debate.

Deputeti Luçiano Boçi bëri kërkesë në nisje të saj për reflektim duke thënë se sipas tij “PS e ka kthyer Parlamentin në hapësirë të çmendur”.

“I keni ndërkallur projektligjet në një seancë të vetme. Këtë Parlament po e bëni të çmendur dhe qesharak, secili nga projektligjet mund të kërkonte seancë më vete. Të fusësh 11 projektligje në një seancë është për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Pse nuk shtojmë seancat?!”, tha ai.

“Ky nuk është Parlament, është kioskë. Projektligji për komisionet do debat”, vijoi ai.

Edhe deputetja Jorida Tabaku i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi nga Kuvendi dhe mazhorancës në sallë, që të hiqen më shumë se 4 projektligje që pranoi grupi i mazhorancës për t’i hequr nga rendi i ditës.

Ajo tha se ligjet për lobimin, armatimin, median, Kodin penal dhe më gjerë, nuk janë konsultuar, nuk kanë dakordësinë as të opozitës, as të grupeve të interesit dhe as të ndërkombëtarëve.

Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai kërkoi shtyrjen me 1 javë të katër projektligjeve, pasi sipas tij duhen rakorduar fjalë për fjalë me BE.

“Lehtësojmë disi agjendën e sotme“, tha Balla.

Me kërkesë të PS, u tërhoqën 4 projektligje nga rendi i ditës:  

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”;

-Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar;

-Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”;

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”;


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë